Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, vizitoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit për të parë situatën e këtij institucioni, duke e konsideruar thesar të kulturave, për faktin se ruhen filma të ndryshëm, midis tyre edhe shumë filma kinezë.

“Këtu janë mbajtur kujtimet e përbashkëta të Kinës dhe Shqipërisë. 26 filma shqiptarë janë shfaqur në shekullin e kaluar në Kinë dhe janë mirëpritur nga populli kinez prandaj këto janë pasuritë e përbashkëta të dy popujve”, u shpreh ambasadori Ding.

Biseda mes ambasadorit dhe drejtores së Arkivit të Filmit, Iriz Elezi konsistoi edhe në një bashkëpunim konkret. Përveç mbështjetjes mbi pajisjet, po planifikohet edhe prezantimi i filmave shqiptarë te brezi i ri kinez, që të njohin historinë e të bëhet pjesë e jetës së tanishme të të rinjve.
“Dëshiroj që njerëzit të njohin filmat e së kaluarës. Moshat mbi 50 vjeç, e njohin qartë historinë kino-shqiptare dhe filmat, pasi kanë lënë një përshtypje të madhe në zemrat e kinezëve”, shtoj më tej ambasadori.

Ndërkaq, regjisorit Piro Milkani i është bërë një ftesë zyrtare nga Ambasada e Kinës, për të takuar studentë dhe pedagogë që mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Kinës, si edhe për të treguar gjendjen dhe situatën e filmit shqiptar, dje dhe sot. Takimin me regjisorin Milkani, ambasadori Ding e cilësoi mjaft të vyer.

“Pas disa ditësh, zoti Piro do të bëjë një vizitë në Kinë. Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm për industrinë e filmit shqiptar dhe shpresoj që marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej”, përfundoi ambasadori i Republikës popullore të Kinës, Zhou Ding.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb