Pavarësisht shifrave të larta të të infektuarve me koronavirus në vendin tonë dhe në Kosovë ditët e fundit, interesi i turistëve për të vizituar vendin tonë nuk është ulur.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi pas hapjes së kufijve tokësorë shpreson në ringritjen e sektorit të turizmit. Durrësi, Korça, Pogradeci mbeten ndër destinacionet e preferuara të turistëve nga Kosova, të cilët edhe në këtë kohë pandemie nuk i kanë braktisur këto vende gjithnjë duke zbatuar masat ndaj Covid-19.

“Këto tre-katër vitet e fundit Pogradeci e Korça po bëhen destinacione shumë të rëndësishme. Unë mendoj që edhe këtë vit Kosova do jetë prezentë në Shqipëri. Tashmë kanë filluar udhëtimet e para në grupe turistike e para drejt Velipojës, Shëngjini e Durrësit. Në javët në vijim do futet në hartën turistike të Kosovës edhe Saranda e Vlora. Para disa ditësh kishim në Prishtinë, drejtuesit lokalë të Lezhës e Vlorës, të cilët shprehën gatishmërinë për të pritur vëllezërit nga Kosova”,- tha Minxhozi.

Sipas Minxhozit, gatishmëria dhe dëshira e kosovarëve është shumë e madhe për të udhëtuar drejt destinacioneve shqiptare, dhe gjatë kësaj vere pavarësisht situatës fluksi parashikohet të jetë në rritje.

“Është maksimale dëshira e tyre do ketë një fluks në rritje. Natyrisht që koronavirusi ka bërë atë të vetën, por mendoj që në javët në vijim numri i tyre do jetë më i madh”,- vijoi ai.

Edhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi nxiti hotelierët dhe operatorët turistikë që të veprojnë sa më shpejt për të prezantuar paketa të organizuara për turistët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb