SERBI-Ambasadori norvegjez në Beograd, Arne Sanes Bjornstad ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje e cila siguron paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe më gjerë.

Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, Bjornstad ka thënë po ashtu se revokimi i lejes nga autoritetet kosovare për vizitën e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, në Banjë të Skënderajt, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, ai thotë se mesazh pozitiv nga e gjithë kjo ishte reagimi i presidentit Thaçi në lidhje me situatën e krijuar.

Bjornstad foli edhe për ndryshimin e mundshëm të kufijve mes dy vendeve, për të cilin tha se se mund të jetë zgjidhje, mirëpo sipas tij një ide e tillë nuk duhet të jetë qellim i të dy vendeve.

“Nganjëherë me duket se ne flasim për zgjidhje pa e marrë parasysh problemin. Asociacioni, ndryshimi i kufijve…i shoh si instrumente të mundshme, por jo qëllime dhe caqe. E rëndësishme është të arrihet një zgjidhje e cila e eliminon situatën aktuale dhe që siguron paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Sipas ambasadorit norvegjez, referimi që po i bëhet Luginës së Preshevës si “Kosova Lindore” nga disa liderë kosovar nuk ndihmojnë në zgjidhjen e situatës, mirëpo megjithatë ai shton se edhe ata që e quajnë Kosovën si pjesë të Serbisë nuk duhet të befasohen nga këto deklarata.

Ai po ashtu rithekson se Serbia do të pranohet në Bashkimin Evropian vetëm kur të përmbushë të gjitha kriteret, e që sipas tij ndër kryesoret janë mos të ketë probleme të hapura me fqinjët e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb