Nga Fieri, ambasadori i Rumanisë Mircea Perpelea ka dhënë mesazhe inkurajuese për Shqipërinë. Duke qenë se Rumania është vendi që mban Presidencën e radhës në BE, Perpelea tha se Rumania do vazhdojë të jetë një vend mik i shqiptarëve si dhe të mbështesë aspiratat e tyre për tu integruar në BE. Por, nga ana tjetër ai apeloi të vijohet me reformat.

“Është e vërtetë që Rumania këto gjashtë muaj ka presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian dhe duhet të menaxhojë edhe situatën në Ballkanin Perëndimor. Në rastin e Shqipërisë Rumania do vazhdojë të mbajë të njëjtin pozicion si mike e Shqipërisë. Sigurisht që jemi mbështetës të zhvillimeve pozitive që ka pasur deri tani Shqipëria por edhe e dëshirës së madhe të Shqipërisë që natyrshëm të jetë pjesë e BE. Sigurisht që Shqipëria mund të mbështetet tek ndihma e Rumanisë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojë para me reformat që i ka lënë BE, këtu bëhet fjalë për drejtësinë, kulturën, anti-korrupsionin”,- tha ai.

I pyetur në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Perpelea është shprehur se do të qëndrojë neutral, pasi siç tha demokracia flet vetë.

“Ne si ambasadë ruajmë pozicionin tonë neutral. Është demokracia ajo që thotë fjalën e saj dhe sigurisht si në vende të tjera rezultatet duken”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb