SHKUP- Ambasadori i Sllovakisë, Martin Bezak u bëri thirrje partive politike dhe autoriteteve të vendit që të mos rrinë duarkryq dhe të presin që çdo gjë do të zgjidhet nga ana e BE-së. Ambasadori i shtetit kryesues me BE-në u bëri me dije partive politike se procesi euro-atlantik i vendi do të varet nga korniza juaj politike e institucionale, ndërsa ne do të jemi përkrahësit tuaj, shtoi ai.

“Kryesia gjithsesi do t’i përkrahë përpjekjet e shtetit tuaj për të dalë nga kjo krizë por nuk mund ta zgjedhë krizën tuaj politike. Shpresojmë se do të ketë pajtueshmëri politike për të ardhmen e re, për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike të cilat do të ju ndihmojnë për hapat e të ardhmes europiane”, deklaroi ambasadori i Sllovakisë Martin Bezak. Zëvendës-kryeministri për çështje evropiane Arbër Ademi kërkoi përkrahje të Sllovakisë për procesin integrues të vendit, duke qenë i vetëdijshëm për ngecjet e shumta që ka Maqedonia. Implementimi i reformave urgjente prioritare, ku bën pjesë edhe pavarësia e gjykatave dhe sundimi i plotë i së drejtës janë të pashmangshme, tha ai.

“Duke pasur parasysh që Raporti vjetor i Komisionit Evropian për vendin do të shpallet gjatë presidencës tuaj, për ne është me rëndësi të veçantë që të kemi mbështetjen tuaj për mbajtjen e rekomandimit për fillim të negociatave si konfirmim për perspektivën tonë europiane. Nga ana tjetër detyrimi ynë si vend është që të gjejmë mënyrë për të dalë nga kriza politike dhe t’u kthehemi sërish reformave të agjendës së BE-së si dhe të sigurojmë argumente me të cilët do të dëshmojmë se vërtetë meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha Arbër Ademi, Zëvendës-kryeministër për çështje evropiane. Në fjalimet protokollare të zëvendëskryeministrit ka reaguar PDSH-ja duke thënë se këto që po thuhen janë përgjegjësi e BDI-së e cila pritet të implementojë reformat e jo t’i artikulojë vetëm në mënyrë verbale.

“Populli është duke kërkuar përgjegjësi nga ju për këtë mënyrë të qeverisjes dhe për këtë mënyrë se ku e keni sjellë edhe shtetin edhe komunitetin shqiptar por më se miri flet situate në terren sa i përket përgjegjësisë”, tha Orhan Ibrahimi, PDSH. Ambasadori sllovak tha se Brexit mund të ketë ndikim në politikat e zgjerimit të BE-së por në asnjë moment kjo nuk duhet të ndikojë në hapat e mëtutjeshëm të politikave madhore europiane.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: