TIRANË

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca tha se korrupsioni mbetet shqetësim serioz për BE. Në konferencën e nivelit të lartë antikorrupsion, kreu i diplomacisë europiane në Tiranë theksoi se reforma në drejtësi dhe vettingu kontribuon në luftën kundër korrupsionit, por theksoi se korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe vazhdon të jetë shqetësim serioz për shtetet anëtare dhe BE .

Ai tha se duhen dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë të cilat kanë qenë tejet të ulëta duke shprehur pritshmëritë ndaj SPAK.

“Në raportin vjetor të Komisionit është shprehur që Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje për të qenë pjesë e BE-së. Me pak fjalë kjo është gjuha jonë teknike për të thënë se Shqipëria ka ende mjaft punë për të bërë.
Ne kemi parë një sërë dënimesh për zyrtarë të nivelit të ulët dhe të mesmë. Është e natyrshme të themi që reforma në drejtësi dhe në veçanti vettingu kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit. Procesi i vettingut dhe rezultatet e tij janë të rëndësishme, madje kyçe në luftën kundër korrupsionit si dhe për të marrë sërish besimin e publikut në gjyqësor dhe organet e zbatimit të ligjit. Vitin e shkuar kemi parë përparime në krijimin e disa institucioneve të rëndësishme të reformës në drejtësi. Roli i ILDKPKI i rëndësishëm për evidentimin e konfliktit të interesit, në kontrollin e pasurisë.
Korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe vazhdon të jetë shqetësim serioz për shtetet anëtare dhe BE, prandaj kjo luftë kërkon përpjekje të mëtejshme të strukturuara dhe të vazhdueshme si dhe dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë të cilat kanë qenë tejet të ulëta dhe fatkeqësisht kjo është diçka që ne e kemi thënë në raportet e mëparshme. Duhen dënime të zyrtarëve të nivelit të lartë që shoqëria, qytetarët të kuptojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin.
Prandaj kemi një pritshmëri të lartë nga SPAK, nga gjykatat për të rritur kapacitetet e hetimit dhe ndjekjes penale dhe për të ndjekur gjithcka deri në dënimin e formës së prerë për çështjet e korrupsionit”, deklaroi Soreca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: