Vlora Çitaku është bërë dje temë e ditës pasi kryeministri Ramush Haradinaj e akuzoi se është ambasadore e presidentit Hashim Thaci, e jo e Kosovës. Pas një reagimi që më pas Çitaku bëri për Haradinaj, ajo ka vazhduar me aktivitetet e saj në Uashington.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku është takuar me njeriun më të pasur në botë, themeluesin e kompanisë gjigante Amazon, Jeff Bezos. Këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet publikimit të një fotoje në Instagram pranë së cilës ka treguar se Jeff Bezos mendon ta sjell në Kosovë, shkruan Express.

“Kënaqësi e veçantë ta takoj sërish Jeff Bezos. Amerika është e veçantë, jo vetëm pse është fuqia më e madhe ushtarake në botë, por edhe sepse në të, njerëz me potencial inovativ si Bezos mund të fillojnë nga zero, pa asgjë. Pa hile. Dhe të ndërtojnë të ardhmen. Amazonin e dua, sepse librat i ka bërë cool sërish. U ndjeva mirë që Bezos e mbante mend Kosovën dhe dollinë time për vendin tim, të bërë para 3 vitesh kur rastisëm të ishim në të njejtën darkë. Do të angazhohem që zotin Bezos dhe fondacionin e tij ta sjell në Kosovë. Mbi të gjitha, pak ditë më parë, Bezos dha një shembull fantastik, duke denoncuar publikisht shantazhuesit e tij. Shembull që duhet ndjekur. Amerika është e madhe!”, ka shkruar ajo pranë fotos.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb