TIRANË

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim deklaron se reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë por se është e nevojshme.

Në një postim në “Twitter”, ambasadorja Kim thotë se disa po ëndërrojnë që BKH, e ashtuquajtura FBI-ja shqiptare nuk do të themelohet kurrë dhe shpresojnë se drejtësia nuk do vijë kurrë por kjo nuk do të bëhet e vërtetë.

“Duket sikur disa po ëndërrojnë që NBI (National Bureau of Investigation-Byroja Kombëtare e Hetimit) nuk do të themelohet kurrë, ata shpresojnë që drejtësia nuk do të vijë kurrë. Më vjen keq që ju zgjoj nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet e vërtetë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara”, shkruan ambasadorja Kim.

Deklaratat e ambasadores së SHBA, vijnë pak orë pasi PD denoncoi zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajnaj, e cila kandidon për postin e Byrosë kombëtare të Hetimit, duke thënë se është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, lirimin e të kërkuarit për trafik droge Naser Gashi.

Sipas PD, Hajnaj duhet skualifikuar nga gara për drejtuese të BKH, pasi sipas tij, “mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës dhe pezulloi nga detyra policin që e denoncoi skandalin”.

Nënkryetari i PD Edi Paloka citoi raportin e SHÇBA, ku thuhej se “Nga ana e SHÇBA, në vitin 2018 janë marrë informacione të besueshme dhe konkrete, ku kjo shtetase implikohet në marrjen e shumave nga 10 mijë euro për dhënien e gradave policore në mënyrë arbitrare dhe preferenciale”.

Pas dekleratës së opozitës, News24 u interesua pranë prokurorisë së Tiranës, nëse ndaj Aida Hajnaj, ishte regjistruar ndonjë procedim penal. Burimet thanë se në institucion nuk ka asnjë çështje penale të hapur për zyrtaren e policisë, dhe për këtë çështje i është dërgar informacion zyrtar komisionit pranë SPAK që po kryen verifikimin skandidatëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb