Analisti Fitim Zekthi vlerësoi qëndrimin e opozitës për të marrë pjesë në tryezën e Reformës Zgjedhore, por edhe gjithë betejën që ka bërë opozita përgjatë këtij viti, pasi sipas tij, deligjitimoi tërësisht qeverinë e Edi Ramës.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, analisti Zekthi tha se kryeministri Edi Rama nuk e do Reformën Zgjedhore dhe do bëjë gjithçka për ta penguar, ndërsa shtoi se “Ambasadorja e SHBA, që sapo ka ardhur, por edhe vetë shqiptarët, do bëjnë të mundur që Rama të tërhiqet”.

“Nuk e shoh si fitore të njërës apo tjetrës palë, por si një stacion logjik të betejës 1 vjecare të opozitës dhe si stacion të kushteve të Bundestagut. Për mendimin tim është arritje e opozitës. Më i fuqishmi, që është Rama, nuk e përdor dot fuqinë e tij, sepse ky parlament nuk është legjitim. PD është e detyruar, që të marrë pjesë në këtë tryezë të Reformës Zgjedhore, që është vendimtare dhe përbën një nga piketat për të marrë statusin e vendit kandidat. Pra, nuk e shoh si ndryshim të PD, por vijim me mjete të tjera, rruga e djegies së mandateve, e mosmarrjes pjesë në zgjedhje, ka prodhuar këtë.

Më e mira e mundshme që mund të bëjë PD, krahas përpjekjes së saj jashtëparlamentit, është të marrë pesë në këtë tryezë. Nëse nuk do të shkonte PD, do të ishte një problem i madh për të gjithë shqiptarët dhe për vendin. Gazeta BILD, përgjimet e Zërit të Amerikës, deligjitimuan qeverinë e Ramës, po ashtu edhe zgjedhjet e 30 qershorit.

PD po bën një gjë që duhet ta bëjë, po bën politikë. Pasi ka bërë veprime ekstreme, brenda normës demokratike, ka arritur në një qëllim, ka deligjitimuar pushtetin tërësisht. Përballja nuk është e lehtë, por kemi të bëjmë me një autokraci të deligjitimuar në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve”, deklaroi Zekthi.

A arriti opozita ta organizojë të gjithën këtë, ta nxjerrë jashtë parlamentit?
Gjithçka ka dalë jashtë parlamentit. Ky parlamenti i sotëm, në këtë formë që është, nuk u votua nga shqiptarët. Shqiptarët nuk votuan për të, ky është një parlament tërësisht jo legjitim. Edhe KÇK që do të bëjë Rama, nuk mund të bëhet nga ky parlament. PD nuk mund ta pranojë kurrë që Reforma Zgjedhore të miratohet në Parlament. Rama mund të bëjë ç’të dojë. Më i forti nuk mund të jetë kurrë i tillë, nëse forca e tij nuk është e drejta. Ka dalë plotësisht Reforma Zgjedhore nga parlamenti, dhe kjo për Ramën, por për shkak të presionit ndërkombëtar. Ky është sukses i madh, sepse nxjerrja e reformës jashtë parlamentit konfirmoi fuqinë e opozitës, edhe pse në numër është më e vogël se mazhoranca.

Zgjedhjet e parakohshme …
Rama do bëjë gjithçka mundet që ta pengojë këtë Reformë Zgjedhore, madje edhe Gjiknurin e dërgoi si provokim në tryezë, që opozita të largohej. Rama do anti-politikë, që të imponojë me dhunë pikëpamjen e tij. Ndërsa politika në thelb do të thotë që ti je i kufizuar. Rama është tipikisht anti-politikani. Akuzat ndaj opozitës i ka ngritur Rama, dhe janë akuza që përdorte Enver Hoxha. Rama do tentojë të pengojë opozitën, që të tërheqë zvarrë reformën. Rama është shumë i fuqishëm sot nga pikëpamja numerike, por jashtëzakonisht shumë i dobët përballë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Të gjithë liderët Hitleri, Gadafi, etj, kanë rënë në momentet, kur mendonin se janë më të fortë. Ambasadorja e SHBA, që sapo ka ardhur, por edhe vetë shqiptarët, do bëjnë të mundur që Rama të tërhiqet.

Nëse Rama s’do blinte mandate, nuk do ishte në pushtet. Rama fitoi, pasi manipuloi egërsisht zgjedhjet. Në kushtet sotme nuk mund të diskutohet për sistemin. Por, për mendimin tim, sistemi më i mirë është ai miks, pasi lidh drejtpërdrejt qytetarët me deputetin. Nëse duan sistemin më të mirë, të shkojnë te sistemi miks. PS ka rënë rehat me këtë lloj sistemi, ndërsa PD ka një drojë, sepse mundësia që kriminelët të futen në parlament është më e madhe me sistem proporcional kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb