Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Håstad vjen në nje intervistë për News24 ku shpjegon arsyet ose Suedia ka financuar rikonstruksionin e godinës së Autoritetit të Dosjeve. Duke e vënë theksin te kërkimi i së vërtetës, ajo thekson se qeveria duhet t’u kërkojë falje viktimave të komunizmit për të vënë në vend dinjitetin njerëzor. Sipas Håstad demokracia ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe drejtësia është me rëndësi si në Shqipëri edhe në Suedi.

PYETJA-Zonja Ambasadore jemi në Autoritetin e Dosjeve që tashmë ka një godinë të re me financim të qeverisë suedeze dhe ambasadës suedeze në Shqipëri. Pse Sueidia duhet të jetë e interesuar për të investuar në një institucion që ka të bëjë me kujtesën në Shqipëri?

HASTAD: ky projekt është për pajtimin, është për gjetjen e së vërtetës për familjen dhe për historinë.  Ne besojmë se kjo krijon demokraci, është për hapjen, për të pasur akses në të shkuarën dhe ne po ashtu besojmë se kjo është një mënyrë për tu siguruar që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Më pas dua të them se është fantastike se  është diçka për të cilën edhe vende të tjera janë të interesuara. Vende të tjera po shohin, çfarë po bën Shqipëria dhe si po  përballet me të shkuarën. Çfarëdo që ne bëjmë ne sot këtu, është diçka që mund ta shohin edhe vende të tjera, për të mësuar prej saj apo për tu frymëzuar sepse për fat të keq edhe vende të tjera kanë një të shkuar të errët.  Për Suedinë është me rëndësi sepse ne mbështesim Shqipërinë dhe zhvillimin e demokracisë.

PYETJE: Historia e Shqipërisë dhe ajo e Suedisë, nuk kanë pika të përbashkëta, në fakt kanë qenë histori të ndryshme. si e pritët ju këtë projekt në fillim, ku ju propozua ky projekt?

HASTAD: Mendoj se është e lehtë për të kuptuar se ju keni një të shkuar me të cilën duhet të “takoheni”, duhet të keni akses në informacion. Kjo ka të bëjë me dinjitetin njerëzor dhe mendoj se kur vjen në Shqipëri, e njeh historinë. Unë e dija historinë, kolegët e mi e njohin historinë. Dhe mendoj çdokush   e kupton që në mënyrë që kjo të mos ndodhë dhe në mënyrë që të ecim para, duhet të pajtohemi e të takohemi me të shkuarën. Suedia është një vend i të drejtave të njeriut dhe i demokracisë dhe kjo ka të bëjë me dinjitetin njerëzor. Për dinjitetin e familjeve dhe për njerëzit e hetuar që të dinë se çfarë ndodhi me ta, me të afërmit e tyre. Dhe sa i takon Suedisë, mendoj se ne kemi përgjegjësi, përgjegjësi globale dhe nëse kemi mundësi të ndihmojmë që të krijojmë ndërgjegjen që kjo të mos ndodhë më kurrë, atëherë ne duam të kontribuojmë. 

PYETJE: Ju edhe gjatë fjalës që mbajtët në ceremoni e vutë theksin te të drejtat e njeriut. Në një vend si ky i yni ku shpesh është e vështirë të përballësh me të shkuarën, të fokusuarit te të drejtat e njeriut dhe të drejtat që duhet të kenë pasur edhe ata që kanë jetuar në komunizëm, përbën një argument të fortë për t’ju qasur të shkuarës edhe në mënyrë ligjore, përtej ndjeshmërisë.

HASTAD: Të drejtat e njeriut janë thelbësore, për zhvillim demokratik, në vendin tim, në Suedi dhe kjo është e rëndësishme se si i respekton ato?  Qeveria siguron të drejtat e njeriut për qytetarët, dhe është njësoj në vendin tim, e është njësoj këtu. Qeveria, ose autoriteti ka përgjegjësinë, të ndihmojë individët, të sigurohet për të drejtat e njeriut, për të pasur akses në histori, akses në informacion, sepse është një krim që është kryer, nga qeveria e asaj kohe.  Dhe kemi disa procese si ky nëpër botë, dhe është përgjegjësisë e qeverisë të thotë “Më vjen keq” dhe të kërkojë falje. Si bëhet kjo? Një mënyrë është të qenit i hapur,
“e dimë që kemi bërë diçka keq dhe kërkojmë falje duke u hapur”.

PYETJE: Kërkimi i së vërtetës, sa mendoni që është e vështirë kërkimi i së vërtetës, gjetja e saj dhe gjithë procesi që e shoqëron, për një shoqëri si e jona me problemet e veta të bartura dhe që në një farë mënyre i transmeton ato probleme në ditët tona?

HASTAD:   mendoj se ka të bëjë edhe me dinjitetin, mënyrën si ke vdekur dhe ku je varrosur dhe ku familja jote mund të të nderojë. Është një proces i gjatë dhe i vështirë për të kërkuar për njerëzit që kemi humbur në krime si këto. E di, sepse kam punuar në vende të tjera, në Amerikën Latine e vende të tjera. Ajo që dua të them e kuptoj tërësisht se duhen kërkuar të afërmit, por është një proces ekstremisht i vështirë i gjetjes dhe identifikimit. Ndaj do të duhet durim.

PYETJE: Shoqëria shqiptare është e ndarë në dy grupime, një grupim që ka qenë i dënuar gjatë regjimit komunist dhe një grupim që ka qenë disi i atashuar pranë persekutorit. Këto dy grupime nuk e pranojnë njëri tjetrin dhe fatet e njëri-tjetrit. Duket se për të përndjekurit politikë në një mënyrë të re, vijon jo më persekutimi i të njëjtit lloj, vijon injorimi, ata s’kanë mundur të fitojnë pas 90-ës ato që ju munguan. Si e shihni unifikimin e këtyre dy rrugëve?

HASTAD:   Mendoj se gjetja e të afërmve dhe pasja akses në atë që ka ndodhur është një mënyrë  e të pranuarit,  të pajtuarit dhe faljes sepse kemi nevojë për falje.  E di që mënyra e vetme për tu pajtuar është duke kuptuar njëri-tjetrin. Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë, nëse një pjesë jeton në mohim, duhet të takohesh me tjetrin dhe ta kuptosh tjetrin. Duhen kuptuar dy palët dhe pse kjo ndodhi.  Kjo nuk do të thotë se ti mendon që është e drejtë, por duhet të kuptosh pse ka ndodhur. Kur dy palët takohen, kuptojnë dhe pranojnë atë që ka ndodhur dhe të falni njëri-tjetrin.

PYETJE: Ju keni folur për drejtësi tranzitore, ndërtimin e demokracisë dhe festimin e hapjes. A gjykoni që shoqëria shqiptare po shkon drejt këtyre tri drejtimeve, edhe pse ju si natyrë në raport me Shqipërinë keni qenë shpresëplotë dhe e keni transmetuar shpresën që ndjeni për të ardhmen me Shqipërinë.

HASTAD:  Sigurisht qe jeni (duke shkuar). Shqipëria po bën gjëra me rëndësi çdo ditë, si kjo sot, që është hapje dhe digjitalizim. Demokracia dhe hapja shkojnë dorë për dore. Dhe po, jam optimiste sepse takoj çdo ditë njerëz që bëjnë diçka për mjedisin, institucionet, demokracinë,  takoj shoqëria civile, institucione, gazetarë si ju që janë guximtarë,  që bëjnë pyetje. Po, kjo është shenjë e mirë. Dhe po, unë i takojë këta çdo ditë në Shqipëri.

PYETJE: Ndërsa flasim për një luftë, mes grupimeve shoqërore në Shqipëri para 1990-s siç ka qenë lufta e klasave. Megjithatë, sot përballemi me një luftë të re, Ukraina është në këtë luftë dhe për shkak të Ukrainës, Europa po përballet me një luftë dhe po krijojnë një rikonfifigurimi gjeopolitik. Suedia që ka qenë tërësisht ndryshe, po risheh pozicionin e saj duke dashur të bëhet pjesë e NATOS-s ndaj edhe keni takuar kryeministrin Rama, pak kohë më parë. Cila do të jetë e ardhmja e Suedisë.

HASTAD: Suedia e ka ndryshuar pozicionin e saj, është e vërtetë. Pas më shumë se 200 vitesh neutralitet, ku ne kemi qenë aleatë ushtarakë me asnjë shtet, kemi vendosur,  të ndryshojmë dhe të aplikojmë për anëtarësi në NATO. Dhe po kjo është sepse ka një luftë në Europë që është në vazhdim. Nuk mendoj se askush nga ne, e mendoi që kjo mund të ndodhte. Të gjithë menduam se kishim ecur para dhe bota ishte vend më i mirë për të jetuar, më e hapur, e globalizuar,  më demokratike dhe me më pak varfëri.  Por lufta ndodhi dhe  ne kemi ndryshuar po ashtu. Ky është një realitet i ri për Europën.  Ky është një realitet i ri për Europën dhe për Suedinë dhe do shkojmë përkrah me Finlandën. Kisha një takim me kryeministrin Shqiptar Edi Rama për ta informuar për aplikimin suedez dhe  Shqipëria dhe ai na dhanë mbështetje të plotë dhe uroj të jemi anëtarë të NATO-s së bashku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: