TIRANE

Ambasadorja e Francës në Tiranë Christina Vasak, në fjalën e saj të mbajtur në Pallatin e Brigadave foli ndër të tjera për zgjedhjet vendore që u zhvilluan dhe për rolin e ambasadorëve në politikën shqiptare.

Duke u ndalur te zgjedhjet vendore, Vasak citoi politikanin francez Justin Godard, i cili në librin e tij “Shqipëria në vitin 1921” thotë se pavarësia dhe e ardhmja e shqiptarëve varet në radhë të parë nga zgjuarsia e tyre. Ambasadorja Vasak vlerëson se këto fjalë të Godard mbeten ende aktuale.

“Mund të citoj Justin Godard dhe librin e tij të famshëm, aktual edhe sot e kësaj dite, “Shqipëria në vitin 1921”, por do të kapërcej një vit. Në verën e vitit 1922, një profesor nga Luksemburgu Albert Calmes bëri një mision në Shqipëri me kërkesë të Lidhjes së Kombeve për situatën ekonomike dhe financiare. Ja një fragment nga raporti i tij. ‘Duket se mund të mbështetemi në mirëkuptimin dhe në ndjenjën shumë të thellë patriotike të shqiptarëve të cilët janë plotësisht të vetëdijshëm se pavarësia dhe e ardhmja e tyre varen në radhë të parë nga zgjuarsia e tyre politike. 97 vjet më vonë, a nuk vlejnë përsëri këto fjalë? Kjo ishte edhe analiza që studentët e gazetarisë, francezë dhe të huaj të Universitetit të Strasburgut bënë me shokët e tyre shqiptarë muajin e kaluar”, deklaroi Vasak.

Ambasadorja e Francës tha se ka të vërtetë se shumë shqiptarë emigrojnë sepse kërkojnë jetë më të mirë ose të studiojnë apo punojnë jashtë, por ajo shtoi se fenomeni i emigrimit është bërë shqetësues dhe në kufijtë e eksodit.

“Pse largohet rinia nga Shqipëria apo çfarë e shtyn atë ta bëjë? Çfarë gjëje është më e natyrshme, siç e ka thënë me të drejtë Kryeministri, sesa zbulimi dhe eksplorimi i pjesës tjetër të Europës dhe botës, të studiosh, të punosh dhe të jetosh diku tjetër?

Sigurisht, por pse kaq shumë të rinj duan të largohen përgjithmonë? Në Marsejë, në nëntor 2018, në konferencën e dytë “Mesdheu i së ardhmes” në të cilën ju zoti President morët pjesë si i ftuar i presidentit të rajonit Sud Prevence –Alpes –Coted-Azur z.Renaud Muselier, ju lshuat alarmin mbi këtë fenomen, si dhe disa ditë më parë, në Sarajevë, ju shkuat deri aty, sa të flisni për eksod. Sondazhet e pasqyrojnë fare qartë: Besimi në të ardhmen e vendit, kur të vijë koha, në gjirin e Bashkimit Europian, është ngulitur thellë te çdo shqiptar”, deklaroi ajo.

Ambasadorja u ndal edhe në rolin e ambasadorëve të huaj në Tiranë. Vasak tha se diplomatët në Shqipëri janë për të kuptuar, mbështetur dhe shoqëruar, por në asnjë rast për të gjykuar apo zëvendësuar autoritetet kompentente. “Kjo gjë duhet thënë”, shprehet qartë znj. Vasak.

“Të ndërtosh një shtet ligjor, pa pandëshkueshmëri as vetëkënaqësi, është një gjë për të cilën shqiptarët duhet të vazhdojnë të jenë në një mendje. Po a nuk po zbehet besimi tek institucionet? Ka shumë pyetje për popullatën në tërësi, përtej klasës politike. Diplomatët janë këtu për të kuptuar, mbështetur dhe shoqëruar, por në asnjë rast për të gjykuar ose zëvendësuar autoritetet kompetente. Kjo gjë duhet thënë”, tha ambasadorja.

Në fund, ajo tha se shqiptarët duhet të jenë të sigurt se Franca do të mbetet përkrah Shqipërisë, pavarësisht vendimit që do të merret në tetor për hapje të mundshme të negociatave.

“Të jeni të sigurt, Franca do të qëndrojë panë Shqipërisë, pavarësisht nga vendimi që do të merret nga Këshilli në tetor, unanimisht për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kontekst, Presidenti Macron paraqiti në prill në Berlin, në samitin e organizuar nga kancelarja Merkel, strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimorë”, është shprehur ajo.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb