Avokati Spartak Ngjela ka komentuar deklaratën e ambasadores së SHBA Yuri Kim ditën e sotme në “Polin e Drejtësisë”.

Ngjela deklaroi në Euroneës Albania se Yuri Kim donte të thoshte që enverizmi nuk ka rënë.

“Ajo tha se ne do të rrëzojmë Enverizmin, ky ishte konteksti dhe këtu ka të drejtë, nuk ka rënë enverizmi në Shqipëri. Nuk flasë për figurën, flas për doktrinën, flas për dhunimin e shtetit. Më trego se cili është rivali i Ramës? E dini se sa rivalë ka një kryeministër në një vend demokratik sot, minimumi 3. Kë ka Rama këtu? Shteti është në krizë e kjo do të thotë se shteti është i kapur dhe çdo njeri është rrezikuar. Nuk ka pasur ushtri amerikane në Shqipëri, tani ka”, tha ai.

Ngjela theksoi se Kim iu përgjigj ashpër kryeministrit Edi Rama, ndërsa shtoi se SHBA mund të jenë fyer nga deklarata e ministrisë së Jashtme.

“Ambasadorja amerikane u përgjigj ashpër. Në një nga emisionet tuaja thashë, nëse Rama e ka bërë nga mendja, është çmenduri. Nëse ata e kanë marrëveshje me njëri-tjetrin dhe vazhdon marrëveshja, nuk e di. Por çështja është që u përgjigj ashpër. Sipas eksperiencës sime, kjo tregon që ka qenë e acaruar politike, sepse mund ta kenë marrë si fyerje kundër Yuri Kim. Problemi është që e kanë marrë si fyerje kundër saj, por çdo të thotë fyerje kundër saj? Ajo ka drejtuar reformën në drejtësi. Kush preket nga reforma në drejtësi? Të gjithë”, theksoi ai.

Sipas tij në rast se Reforma në Drejtësi dështon, në Shqipëri do të ketë forcë ushtarake në mënyrë që vendi të mos lihet në dorë të korrupsionit.

“Ajo, në atë të vetën e tha bukur, e kuptova mirë. Nuk ka pasur ushtri amerikane në Shqipëri, nuk e di nëse e dëgjuat. Jua kam thënë edhe unë. Nuk ka pasur ushtarakë, tani ka tha. Nëse reforma në drejtësi dështon, do ketë forcë ushtarake këtu, se nuk mund ta lënë Shqipërinë në dorë të korrupsionit. SPAK-u ta dijë mirë, që nëse nuk vepron, i pari drejt penalitetit do shkojë SPAK-u”, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb