Diplomatët e misionit shqiptar në Gjenevë kanë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme një dosje me shkeljet financiare të ambasadores Filloreta Kodra, për të cilën kanë kërkuar nisjen e një auditi.

“Panorama” ka zbardhur dokumentacionin që i është bashkëngjitur kërkesës drejtuar Ministrisë së Jashtme, në të cilën evidentohen shkeljet dhe blerjet me fatura të kripura për pajisje zyre.

Sipas shkresave, ambasadorja Filloreta Kodra ka blerë një tavolinë pune me vlerë 5266 franga zvicerane, ose, sipas kursit të këmbimit, rreth 5000 euro.

Në argumentet e dosjes së dorëzuar në MPJ thuhet se janë kërkuar një sërë ofertash nga kompani të ndryshme, të cilët prodhojnë mobilie me porosi dhe për një tryezë të tillë ofertat variojnë nga 530 deri në 750 franga zvicerane, por tryeza e blerë nga ambasadorja Kodra është paguar sa 10­-fishi i saj, pra 5266 franga, që me kursin e lekut shqiptar arrijnë në 655 mijë lekë të rinj.

Po e njëjta kompani për të njëjtën mobilie ka ofruar një kosto dyfish më të ulët, pas interesimit të diplomatëve të misionit të Gjenevës. Shkelja ligjore bëhet më e rëndë, pasi fatura e dorëzuar nga kompania private është firmosur dhe vulosur nga ambasadorja Kodra.

Në argumentet e dosjes së dorëzuar në Ministrinë e Jashtme thuhet se: “Në kuadër të së njëjtës blerje nga ana e Misionit, investigimi na çon para një dokumenti absurd, ku vula e shtetit shqiptar, e Misionit të Shqipërisë në Gjenevë dhe nënshkrimi i ambasadores Kodra vendosen mbi një ofertë biznesi privat në Gjenevë, arsyet dhe logjikën e këtij ‘certifikimi’, duke vulosur këtë dokument me vulën e shtetit shqiptar, mund të na i shpjegojë vetëm titullarja e Misionit.

Të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, por edhe të gjithë ne, dimë se vula e një institucioni mund të përdoret apo vendoset vetëm në dokumente, shkresa zyrtare që mbajnë logon/ stemën e tij dhe që nënshkruhen nga titullari i autorizuar. Në rastin konkret, ambasadorja Kodra vulos dhe firmos ofertën e biznesit fitimprurës ‘Round Office’, nga ku rezulton të jetë blerë kjo mobilie e shtrenjtë sa një automjet apo sa paga vjetore e një arsimtari”. /Panorama/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb