TIRANË

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim tha se po diskutohet si opsion dhe zgjatja e mandatit të ONM për procesin e vettingut, por se nuk ka një vendim. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kim deklaroi se pritshmëritë që vërtetë kanë rëndësi për drejtësinë janë ato të popullit shqiptar. Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit ajo theksoi se nga SHBA janë kontribuuar më shumë se 4 mln dollarë.

Zëri i Amerikës: Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjalë e aktivitetit tuaj në Shqipëri. Në mesin e vitit të ardhshëm, përfundon mandati i misionit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Një mekanizëm që ka shërbyer për t’i dhënë besim procesit të vettingut, dhe që në fakt ka ndikuar në përmbysjen e një numri të konsiderueshëm të vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Mandati i këtij misioni është përfshirë si një dispozitë tranzitore në Kushtetutën shqiptare. A do të ishit ju në favor të zgjatjes së këtij mandati, duke marrë në konsideratë faktin se jemi diku te gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve që ende nuk i janë nënshtruar vettingut?

Ambasadorja Kim: Vettingu mbetet themeli për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe më herët këtë javë, pas disa takimesh në format virtual, më në fund pata mundësinë të shkoja për vizitë fizikisht tek KPK dhe ramë dakord që puna e KPK është e rëndësishme, që kanë përmirësuar performancën e tyre me kalimin e kohës, që kanë pasur sukses kur kanë vënë disa synime shumë ambicioze për shifrat këto muajt e fundit dhe i kanë përmbushur ato. Ka ende shumë gjyqtarë dhe prokurorë që mbeten për të kaluar vettingun dhe po shohim të gjitha opsionet e ndryshme, përfshi atë që përmendët ju, por nuk kam ndonjë gjë për të shpallur.

Zëri i Amerikës: Javën e shkuar, madje dhe para pak ditësh, ju takuat kreun e SPAK, dhe u shprehët se nënvizuat “pritshmërinë e SHBA që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pavarësisht sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti”. A janë pritshmëritë tuaja më të larta tani, kur në krah të SPAK është rreshtuar dhe BKH?

Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se kanë rëndësi pritshmëritë e mia. Sigurisht, investimi i SHBA ka rëndësi dhe fakti që vazhdojmë të investojmë tek SPAK dhe BKH është një tregues i asaj që shpresojmë të marrim si rezultat. Por pritshmëritë që vërtetë kanë rëndësi janë ato të popullit shqiptar. Nëse mendojmë se ku ishim një vit më parë, njerëzit talleshin me SPAK, e dini, i mbaj mend shakatë dhe karikaturat me S’KAP. Tani, një vit më pas, teksa SPAK ka treguar rezultate, perceptimi i njerëzve ka ndryshuar dhe cilido tani thotë, nëse ka diçka që nuk shkon, do të të raportoj në SPAK. Për mua, kjo tregon se ata besojnë që SPAK është i efektshëm. Dhe në fakt, të dhënat tregojnë që është ashtu.

U habita pa masë kur kërkova ca informacione dhe mësova, për shembull, se që kur SPAK u ngrit në vitin 2019 e deri në ditën e fundit të gushtit 2021, ka konfiskuar 70 milionë euro asete të personave që janë dënuar dhe gjykatat e kanë konfirmuar këtë dhe këto asete i kanë kaluar shtetit, ashtu siç duhet. 70 milionë euro në një vit e gjysmë. Krahasojeni këtë, hamendësoni, gjejeni se sa u konfiskua për periudhën 2011 deri 2019 – 20 milionë euro. Mendoj se është diçka që tregon shumë. Do t’ju them edhe që gjatë vitit kur ka funksionuar SPAK, kanë shqyrtuar 700-800 çështje dhe i kanë përpunuar ato; ka pasur rreth 250 individë të dënuar dhe kur shikon nivelin e dënimeve, është mbresëlënëse: 90% e rasteve që SPAK ka ndjekur çojnë në dënime, goxha mirë. Dhe pritshmëria ime është që me BKH-në, që tani ka marrë në punë gjysmën e 60 hetuesve që kërkojnë, kapacitetet e SPAK do të rriten edhe më tej. Dhe, gjithmonë them për reformën në drejtësi – nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përkryer, por sigurisht po shohim rezultate dhe mendoj që njerëzit e zakonshëm po shohin rezultate. Mendoj se edhe më shumë do të vijnë.

Zëri i Amerikës:  Cila është ndihma konkrete që BKH po merr nga Shtetet e Bashkuara?

Ambasadorja Kim: Deri tani, kemi kontribuar më shumë se 4 milionë dollarë në trajnime dhe pajisje. Mbështetja më e madhe sigurisht është me ekspertizë dhe ka të paktën 2 ose 3 ish-agjentë të FBI-së, ekspertë të vërtetë që kanë përvojë dhe ekspertizë praktike, që janë këtu, të lidhur me ambasadën dhe po ndihmojnë hetuesit e rinj të FBI-së, që të zhvillojnë të njëjtat shprehi, që të mund të jenë agresivë, dhe që të jenë të aftë të kryejnë funksionet e tyre.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb