Nga: HALIL RAMA *

Aeroporti “Nënë Tereza”, Rinas, u bë dje paradite dëshmitar i një manifestimi, që ndonëse spontan, mori përmasa mbarëkombëtare. Qindra nxënës e mësues të gjimnazit “Sami Frashëri”, bashkëmoshatare të Ambra Medës si dhe qindra të tjerë, njerëz të familjeve “Meda” e “Met’hasani”, miq të tyre nga Prishtina, Dibra e Madhe, Tirana, Shkodra, Puka, Peshkopia, Pogradeci e nga mbarë Shqipëria pritën për orë të tëra mbërritjen e avionit “Luftahansa”, me të cilin Ambra u rikthye dje, pas 18 muajsh beteje për jetën. Ambra Meda, pas një beteje të gjatë e të lodhshme me sëmundjen e shekullit kthehet fitimtare në vendin e saj… Në këtë aeroport kemi pritur shpesh fitues kupash e çmimesh të ndryshme! Kanë qenë vërtetë emocionale dhe na kanë bërë të ndjehemi krenarë për çdonjërin prej tyre. Por pritja e djeshme, siç u shpreh një bashkëmoshatare e Ambrës ishte më emocionalja, më e bukura, më kuptimplote se të gjitha pritjet e tjera… Entuziazmi i tyre bëri dje që aeroporti i Tiranës të gumëzhijë më shumë se kurrë. Ambra u kthye dje nga Mynihu me medaljen “Misionare e Jetës”…
Fitorja e saj është fitore e të gjithë rinisë shqiptare. Këtë mesazh përcolli ajo dje nga aeroporti “Nënë Tereza” për bashkëmoshatarët e saj, që mezi prisnin ta përqafonin e të bënin një foto me të… Këtë “nxitim” e treguan më së miri shoqet e saj të ngushta, Sara Brika, Albana Bejko, Eni Abazi, Klara Nofulla, kushërirat Luna e Blerta, por edhe miqtë e dajës së saj, Defrim Met’hsanit, gazetari i mirënjohur kosovar Milaim Krasniqi, miqtë nga Dibra e Madhe, Bajram Kllobuçishta e Dritan Lleshi, vajzat e ekipit shkodran të “Vllaznisë” e dhjetëra të tjerë. Padyshim, më të mallëngjyerit, gjyshërit Shuaip e Farije Met’hasani si dhe Rexhep e Sere Meda… Në sytë e tyre, si dhe të dhjetëra të afërmve të tjerë, lot gëzimi e emocione të forta. Shuaipi, që ka shërbyer me devotshmëri në sektorë të rëndësishëm dhe që në përditshmërinë e jetës mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale dibrane, dje ka përjetuar gëzimin më të madh të tetë dekadave që mban mbi supe. Dhe me modestinë që e karakterizon, ai u shpreh falenderime të përzemërta të gjithë atyre që mbështetën mbesën e tij të shtrenjtë në betejën për jetën. Ndërkohë, edhe mësuesja Shigjeta Tafani dje paradite erdhi në Rinas për të filmuar lotët e gëzimit. Ajo shpreh lumturinë e pamasë që nxënësit e saj ishin pjesë e shpëtimit të një jete… Në pamundësi për t’i marrë ata me vete, pasi meritonin të gjithë të ishin sot me të, përmes kameras mësuese Shigjeta u transmeton atyre puthjen e Ambra Medës dhe falenderimin e saj për tërë 17-18 vjeçarët që donin kaq shumë të ishte përsëri midis tyre! Falë kësaj mbështetjeje dhe humanizmit që treguan bashkëmoshataret, këtu në Tiranë, në Prishtinë, Dibër të Madhe, Shkodër e kudo duke i dhuruar Ambrës dhe shpirtin e tyre, ajo u bë më e fuqishme në betejat me sëmundjen…! Historia e Ambra Medës është historia e vajzës që mobilizoi të gjithë opinionin publik me luftën e saj kundër kancerit. Dhe tashmë mund të themi me plot gojën se Ambra e fitoi luftën e saj. Të parat që dhanë këtë lajm të gëzueshëm qenë mediat gjermane, por edhe të afërm të Ambra Medës, duke njoftuar para pak ditësh se ajo ka përfunduar me sukses edhe operacionin e fundit, duke mundur kështu njëherë e përgjithmonë kancerin dhe duke fituar luftën e saj me jetën. Modeli i luftës që Ambra bëri kundër kancerit u kthye në motivin e mediave gjermane, të cilat e kanë konsideruar Ambrën si një shembull dhe frymëzim për të gjithë fëmijët që vuajnë me këtë sëmundje në botë. Princesha e Mynihut, theksojnë mediat gjermane, e vizitoi Ambra Medën pasi ajo është rasti i rrallë i një njeriu që i jep kurajo vetes, por edhe të gjithë atyre që vuajnë nga kanceri dhe për këtë ajo meriton të quhet shembull i një bote të tërë. Kjo sëmundje, tepër e rrallë e detyroi atë që prej 18 muajsh t’i nënshtrohej kujdesit të rreptë të mjekëve të huaj. Ambra vuante nga një diagnozë që prek 130 njerëz në të gjithë botën. Dhe pikërisht kur u pagëzua me emrin “Kimioterapia ‘Ambra’”, shteti gjerman mori përsipër subvencionimin e shumës që duhej për kimioterapinë dhe operacionin e saj. Ishte ky një lajm mjaftë i gëzueshëm, për të gjithë shqiptarët që u përfshinë në aksionin humanitar në ndihmë të vazhdimësisë së jetës së Ambrës. Dhe kur ata e përfunduan misionin e tyre, pra gjermanët e spitali ku ajo prej 18 muajsh ka qenë shtruar, “Shvabing”, organizuan një festë të madhe për shërimin e saj. Ata e kanë quajtur këtë rast si një shembull që një vajzë shqiptare i dha botës në luftën kundër kancerit dhe si një frymëzim për të gjithë fëmijët e prekur nga sëmundje të tilla. E ëma, Liliana Meda (Methasani) që i qëndroi për 18 muaj pranë shtratit ndjehet krenare me të bijën, pasi në të vërtetë, Ambra dëshmoi se mund të ndërtosh lumturinë kur në shpirt mbizotëron dhimbja, mund të ngresh fitoren kur në trup mbizotëron sëmundja!
Mirënjohje të thellë shpreh ajo, si dhe bashkëshorti, Skënderi për kampionët e botës në Tai e Kik Boks, vëllezërit Ismail e Xhetan Keta. Jo vetëm pse financuan shumën e parë për shtrimin e Ambrës në një nga spitalet më të mira në Mynih të Gjermanisë, por edhe për kujdesin e çdoçastshëm që ata treguan pranë shtratit të saj…
Ndërsa evidentohet ky humanizëm i pashpoq, vëllai i tyre më i vogël, Ajeti, që dje ishte në Rinas, si dhe në drekën që familja shtroi për mirëseardhjen e Ambrës shprehet se tashmë Ambra është bërë pjesë vitale e familjes Keta. Ky mision fisnik, jo vetëm i vëllezërve Keta, por edhe i mikut të tyre Valon Markja, sponsor dhe organizator i koncertit humanitar “Një këngë për një jetë” që u dha para një viti në Dibër të Madhe për të ndihmuar Ambra Medën tregon para së gjithash njerëzillëkun e tyre.
“Zoti dhe mjekësia gjermane bënë mrekullinë! Falë mbështetjes së familjes Keta, gjakut dhe fisit, por edhe shqiptarëve të mirë kudo në botë. Unë më në fund shkelmova tumorin nga trupi im! Lamtumirë tumor!”, -shprehet vetë Ambra me entuziazëm për jetën. Nga ky mesazh mësojnë shumë bashkëmoshatarët e saj që ende nuk e kanë kuptuar çmimin e madh të jetës, por abuzojnë vrazhdë çdo ditë me të… Një gëzim të jashtëzakonshëm dje ka ndjerë kolegu ynë i nderuar Defrim Methasani, daja i Ambrës. Dje ai shprehu mirënjohje pafund për ata që e shpëtuan dhe për qindra njerëz që ishin në Rinas. “Faleminderit Zot! Faleminderit vëllezërve Keta, faleminderit Gjermani, mirënjohje shqiptarëve! Ambra është e të gjithëve!”, shprehet Defrimi. Krenar me Ambrën ndjehet daja i saj Defrimi, si dhe të gjithë ne shqiptarët, që falë edhe forcës së saj ia doli. Mirënjohje shtetit gjerman, Zyrës së Emigracionit në Mynih dhe stafit mjekësor që bënë gjithçka për jetën e saj. Mirënjohje, mirënjohje, mirënjohje, miliona herë mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në shërimin e Ambrës, nga prindërit dhe nga gjithë të afërmit e saj.
Mirënjohje pa kufi për të gjithë ata njerëz, të njohur dhe të panjohur, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mirënjohje vëllezërve Keta dhe të gjithë atyre që u bënë pjesë e problemit të tyre të madh me Ambrën. Mirënjohje shtetit gjerman, që ndihmoi një jetë të një vajze shqiptare. Ndërsa Ambra deklaron: “Gjermaninë në mendje, Shqipërinë në zemër! Faleminderit Zot që bëre një mrekulli”!

 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: