Presidenti Ilir Meta teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me amendamentin e miratuar nga Parlamenti Europian me 15 kushtet për Shqipërinë, theksoi se është e nevojshme plotësimi i këtyre pikave, pasi rrezikohet kthim pas.

Ai pohoi se këto janë çështje të vjetra.

“Mendoj se kjo është një çështje e vjetër, në kuptimin e faktit se kushtet janë aty prej vitesh. Duke nisur me krye kushtin e parë dhe të pakalueshëm, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. U bë 4 vite që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme dhe nga Bundestagu gjerman çështja e zgjedhjeve. Duke nisur nga hetimi i zgjedhjeve lokale në Shijak e Dibër. Kushtet kanë qenë aty, janë këtu dhe duhet urgjentisht të përmbushen në mënyrë që vendi të ketë mundësi reale në një të ardhme të shpejtë që të hedh hapa para. Përndryshe me metodologjinë e re të BE, rrezikojmë të kthehemi pas në drejtim të procesit të integrimit europian që do të ishte dënim i pamerituar për popullin shqiptar.”, tha Meta.

Ndërkohë i pyetur për bashkëpunimin me kryenegociatorin Zef Mazi, Presidenti Meta tha se ditën e hënë do të ketë një takim me ish-ambasadorin në OSBE të emëruar nga qeveria si kryenegociator. “Me të kemi një bashkëpunim prej gati 3 dekadash dhe do të diskutojmë dhe lidhur me këto sfida dhe padyshim që përmbushja e 15 kushteve i jep kuptim të plotë dhe dëshirës dhe vullnetit të tij për të shkrirë të gjitha aftësitë e tij profesionale në shërbim të këtij procesi madhor të integrimit europian të vendit”, deklaroi Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb