Historia e jashtëzakonshme jetësore e korçarit Beqir Potka është hedhur në një libër, me autor shkrimtarin Eris Rusi. Në mjediset e Universitetit Fan Noli në Korçë u zhvillua ceremonia e përurimit të libri “American Dream”.

Historia e arratisë nga Shqipëria komuniste dhe prekja e ëndrrës amerikane nga Beqir Potka, me të gjitha peripecitë e kaluara, tashmë vjen e botuar në një libër nga shkrimtari dhe përkthyesi Eris Rusi. Takimi i tyre ka qenë i rastësishëm ndërsa historia e jashtëzakonshme njerëzore, bëri që Rusi të kërkonte të hidhte në letër gjithë kalvarin e vuajtjeve që shoqëruan Potkën deri në momentin kur u zhvendos në SHBA dhe ndërtoi atje jetën e tij, sot si biznesmen.

  • foto galeri

Shqiptaro-Amerikani Beqir Potka në vitin 1989, gjatë periudhës së regjimit komunist, u arratis nga Shqipëria në moshën 23 vjeçare. Me vendosmërinë që e karakterizonte, arriti të emigronte drejt Greqisë fillimisht, e më pas drejt SHBA. Mesazhi që sot ai përcjell është i qartë, se një njeri mund tja dalë mbanë në çdo situatë, vetëm përmes vendosmërisë drejt qëllimeve të mira.

Prezantimi i librit u mbajt në ambjentet e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin e Korçës, dhe rreth librit folën miq e dashamirës, autori i tij Eris Rusi, rektori i Universitetit, Prof.Dr Dhimitri Bello, Prefekti i Qarkut të Korcës, Nertil Jole etj.
Prefekti i qarkut tha se kjo histori mund t’i vlejë kujtdo si burim frymëzimi, për të mos u lëkundur asnjëherë nga qëllimet e mira, që të gjithë duhet e mund të kultivojomë, në mbështetje të njëri-tjetrit dhe të mirës së përbashkët.

“Është një histori mbresëlënëse vështirësisht e krahasueshme, ashtu si plot histori të tjera të atyre që patën kurajo të ngjashme, për nga dimensioni i guximit dhe besimit që njeriu mund të mbartë brenda vetes, duke kapërcyer pengesa shumë të mëdha, në disa raste të paimagjinueshme, që jeta na i ofron jo si ndëshkim, por si sfidë për ta përballuar me vendosmërinë dhe fuqinë e duhur, teksa përpiqemi të realizojmë misionin që i këmi caktuar vetes. Mister Potka është mishërimi dhe shembulli i gjallë, sesi një ëndërr mund të bëhet realitet. Ndaj, kushdo që ka jo thjesht kureshtje për t’u njohur me historinë e tij, duhet ta lexojë këtë libër për të zgjuar brenda vetes motivet që njeriun e bëjnë të suksesshëm, jo vetëm për veten e familjen, por edhe për më të pamundurit apo shoqërinë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb