Zhvillimi më i rëndësishëm në politikën amerikane në Shqipëri, pas mbështetjes përcaktuese për reformën në drejtësi në katër vitet e fundit, është një drejtim ekonomik. Kjo i kushtohet një politike të zgjuar shtetërore prej nesh, për t’ju përshtatur interesave amerikane në rajon, të cilat duan të balancojnë ofensivën e gazit rus nga kompania shtetërore GazProm, nëpërmejt sjelljes së gazit të lëngshëm (LNG) amerikan tek ne.

Porti LNG është projekt që daton në kohë, rreth 20 vite më parë dhe, për hir të së vërtetës, jo mirë i përgatitur në letra. Mirëpo, që nga viti 2012, sapo filloi prodhimi i gazit argjilor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazifikimi i Ballkanit është projekt euroatlantik,. Sot SHBA-të janë prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës dhe gazit nga argjila. Tre ditë më parë, kur Ndihmës Sekretari Amerikan për Energjinë Steven Winberg erdhi në Tiranë në tryezën mbi hulumtimin e “Potencialit të depërtimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror në Europën Qendrore dhe Lindore” dhe përmendi rolin e Shqipërisë si portë hyrëse për gazin e lëngshëm amerikan LNG, pak mes nesh besuan se do të ishte një projekt i shpejtë dhe konkret.

Madje u duk më shumë si përrallë, kur mediat u larguan nga salla e takimit. Edhe kur filloi TAP në vitin 2012, projekti na ngjante si përrallë. Por u bë realitet dhe vetëm tek ne derdhi 800 milionë dollarë investime në ndërtimin e tubacioneve. Me përfundimin e gazësjellësit TAP, Shqipëria po shihet si një vend i rëndësishëm nga Shtetet e Bashkuara për të dominuar tregun e gazit në rajon. USAID, agjencia shtetërore amerikane e asistences teknike ka një projekt të rëndësishëm me Agjencinë tonë të Burimeve Natyrore AKBN.

Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është gjëja më e rëndësishme që mund t‘i vijë ekonomisë sonë, që të mos ngelemi me sytë nga qielli, për të patur më shumë prodhim të energjisë nga hidrocentralet. Dje Ministrja e  Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku takoi në Uashington Sekretarin(Ministrin) Amerikan të Energjisë Dan Brouillette.

Interesi i përbashkët është përdorimi i LNG si lëndë e parë për vënien në funksionim të TEC-it të Vlorës, pasi kushton më lirë se nafta, si dhe ndërtimi i depozitave apo dhe i një terminali për LNG në të ardhmen, që do ta kthente Shqipërinë në një qendër shpërndarëse të sasive të gazit të lëngshëm LNG të eksportuara nga SHBA për në rajon. Prej rrëzimit të komunizmit 3 dekada më parë, SHBA-të kanë qenë dhe mbeten partneri më i rëndësishëm strategjik i yni në rrugën tonë drejt konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Tani ata mund të kthehen edhe në partnerin numër një në energji. Për herë të parë përveç NATOS dhe reformës në drejtësi, ekonomia e veçanërisht energjia kanë hyrë në planet e partneritetit strategjik me SHBA-të. Kjo duket qartë nga deklarimet publike të ambasadores së re të SHBA, Yuri Kim. Një tjetër dëshmi e interesimit në rritje të SHBA për sektorin e energjisë, është edhe numri i shtuar i kontakteve dhe takimeve të ministres sonë të energjisë me zyrtarët më të lartë të Departamentin Amerikan të Energjisë.

Në vetëm 5 muaj, duke filluar nga takimi i zhvilluar në shtator të vitit 2019 në Nju Jork me Asistent Sekretarin Francis F. Fannon, ministrja Balluku ka takuar disa herë dhe asistentë sekretarët e tjerë të energjisë. Këto takime nuk janë veprime kortezie. Është hera e parë në 30 vite marrëdhënie që SHBA-të kanë një përqëndrim kaq të madh tek energjia dhe ekonomia jonë. Hera e parë që një ambasador amerikan vjen me axhende të qartë dhe të deklaruar ekonomike, si dhe hera e parë që një ministër i yni shqiptar takon vetë kreun e Departamentit Amerikan të Energjisë.

Këto janë tregues të qartë të interesit që SHBA kanë të investojne në sektorin energjitik shqiptar. Një interes që sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të lartë të SHBA-ve, do të mund të përkthehet në më shumë investitorë amerikanë dhe më shumë marrëveshje dhe bashkëpunim dypalësh, sigurisht me një avantazh të shtuar për ekonominë tonë. Teknologjia e shpërndarjes me gaz përmes konteinerëve është një nga alternativat që po studiohet në SHBA për të furnizuar tregun shqiptar dhe atë rajonal me gaz të lëngshëm. Futja në veprim e gazsjellësit TAP në fund të këtij viti heq varësinë që kishte prej dekadash nga gazi rus jo vetëm rajoni ynë, por mbarë Europa Perëndimore. SHBA-të po tregohen të interesuar edhe për mënyrat e eksplorimit të naftës tek ne.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: