TIRANE – Revista e përditshme Ozy.com, me seli qendrore në Kaliforni, i ka kushtuar një artikull turizmit shqiptar, përmes së cilit Laura Secorun Paulet paraqet bukuritë natyrore të vendit tonë.

“Së shpejti mund të ndryshojë, sepse bukuri si kjo shpesh nuk qëndrojnë sekret për kohë të gjatë”, shprehet ajo, duke ftuar turistët e huaj të vizitojnë Shqipërinë, edhe pse sipas saj ka nevojë për përmirësimin e infrastrukturës, ndonëse një mungese e tillë, nënvizon Laura Secorun Paulet, nuk do të ndjehet falë mikpritjes së shqiptarëve.

Ajo ka plazhet me ujërat blu më të qarta e më të shndritshme të Mesdheut; ka male dhe lumenj për ditë pafund ecjeje dhe rafting; dhe në jug, vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe kështjella të cilat kanë parë ngritjen dhe rënien e perandorive të mëdha, si bizantine dhe osmane. Por ka një gjë që ju nuk do të gjeni: turistët.

Mirë se vini në Shqipëri, Hirushja e destinacioneve të udhëtimeve evropiane. Ndërsa disa vende të Ballkanit, si Bosnja dhe Hercegovina, kanë parë një bum në turizëm gjatë dekadës së fundit, ky vend i gjatë bregdetar në mes të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi vazhdon të mbetet jashtë vëmendjes.

Për shumë njerëz vazhdojnë ta shohin ende Shqipërinë si djerrinën autokratike që ishte gjatë 40 viteve të diktaturës komuniste dhe që mori fund përfundimisht në vitin 1991. Pastaj ishte lufta civile e ’97 dhe 2 vite më vonë, kriza e refugjatëve shkaktuar nga Kosova fqinje. Nuk është kartolina më miqësore. Por arsyet që dikur qëndronin në rrugën e turizmit tani janë asgjë më shumë se kujtime.

Për të gjithë ata që janë në gjendje të shohin përtej historisë së trazuar të Ballkanit, Shqipëria është një thesar i fshehtë. “Më habiti shumë pejsazhi i bukur që ka”, thotë Lara Vecchio, një turiste nga Milano. Në të vërtetë, vargmalet mahnitëse përgjatë bregdetit mbeten të paprekura, por janë të hapura për kampingje familjare dhe për skiatorët aventuresk. Ndërkohë, Tirana, kryeqyteti, gëlon nga mundësitë. Por, xhevahiri në kurorën e Shqipërisë mbetet bregdeti i saj prej 296 milje. Preferoni plazhet me guralecë? I gjeni. Plazhe me rërë të bardhë? Edhe ato i gjeni.

Por, ajo që e bën Shqipërinë veçanërisht tërheqëse, madje edhe në krahasim me Italinë apo Kroacinë janë çmimet. Do të ishit me fat nëse do të gjenit një apartament për 20 dollarë natën në secilin prej këtyre vendeve. Në Shqipëri, ju mund të gjeni plot hotele për 20 dollarë natën. Dhe një vakt tradicional me salçice derri me krem, një shumëllojshmëri sallatash shoqëruara me verëra të zonës, bëhuni gati për një pagesë prej 6 dollarësh për person. Por, mos prisni që infrastruktura të jetë në të njëjtin standard me konkurrentët e saj – ajri i kondicionuar, për shembull, nuk është i garantuar gjithmonë.

“Është e vështirë të sigurosh standarde të larta me të cilat janë mësuar vizitorët, kur uji i rrjedhshëm na vjen vetëm tre herë në ditë”, thotë Klajdi Pushimi, një udhërrëfyes turistik lokal. Por paratë që ju kurseni për fjetjen dhe ushqimin mund të shkojnë për biletë pasi fluturimet mund të jetë të kushtueshme.

Megjithatë, ajo që vendit i mungon në infrastrukturë, populli e zëvendëson me mikpritjen. Ju nuk mund të mos ndjeni ngrohtësinë e sinqertë dhe dashamirësinë e njerëzve. Megjithatë kjo mund të ndryshojë shumë shpejt pasi bukuri të tilla shpesh nuk qëndrojnë sekret për kohë të gjatë.(ata)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb