Mitropoliti malazez Amfilohije, i cili haptazi thotë se një pjesë madhe e Dukagjinit të Kosovës i takon Malit të Zi, ka thënë për të përjavshmen “Nedeljnik” se me deklaratën e tij se “i frikësohet faktit që politika e Aleksandar Vuçiçit çon në tradhti të Kosovës”, nuk e ka sulmuar dhe as nuk e ka lënduar kryetarin e Serbisë.

“Para së gjithash, unë as Vuçiçin dhe as ata (ministrat në Qeveri) s’i kam fyer me asgjë. Kam shprehur brengën se shqetësohem, për shembull, për shkak të kësaj politike që zhvillohet që nga Marrëveshja e Brukselit që e kanë nënshkruar në vitin 2013 dhe se do të hiqet dorë nga Kosova. Ky nuk është sulm ndaj askujt”.

Ai ka shtuar se nëse kjo vërejtje kuptohet si sulm, ajo i është drejtuar Qeverisë në krye të së cilën atëherë ka qenë Ivica Daçiç.

“Prej pesë vitesh shqiptarët nuk pranuan të respektojnë atë që e kanë nënshkruar në Bruksel. Më normalja do të ishte që të anulohet ajo që është nënshkruar në Bruksel dhe të anulohet bartja e çështjes së Kosovës në BE dhe kthimi i saj atje ku e ka vendin – në Këshillin e Sigurimit të KB-së”, ka thënë ai.

Amfilohije ka folur edhe për fjalimin që e ka mbajtur në varrimin e kryeministrit serb të vrarë Zoran Gjingjiç kur kishte thënë “kush luan me thikë, nga thika do të vdesë”.

“Unë këtë e kam thënë për vrasësit e Gjingjiçit”, ka thënë Amfilohije, dhe ka shtuar se mendon që kryeministri Gjingjiç “ka qenë më esëll se të gjithë ata që erdhën në pushtet pas tij në Serbi duke përjashtuar, ndoshta Koshtunica”.

“Ka rrëfime se ai ka refuzuar të nënshkruajë diçka të ngjashme me Marrëveshjen e Brukselit, të cilën këta e nënshkruan më 2013 dhe se për këtë ai e ka humbur kokën. Nëse është kështu, kjo i bën nder”, ka thënë Amfilohije.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb