Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar draftin e Amnistisë Fiskale, që qeveria ka propozuar për të amnistuar deri në 2 milionë euro të ardhura, burimi i të cilave nuk është i justifikueshëm.

Sipas Tabakut, emigrantët po përdorën si mish për top nga qeveria për të mbuluar përfituesit e vërtetë të kësaj skeme, për të cilën opozita pretendon se do të pastrojë paratë e pista të krimit, korrupsionit dhe drogës.

Më tej ajo thekson se edhe kritikat që po vijnë prej komisionit Europian në raport me draftin nënvizojnë lidhjen me paratë e pista që qeveria pretendon të fusë në ekonomi.

POSTIMI I TABAKUT:

Qeveria po pretendon se drafti i Amnistisë Fiskale është një projektligj në shërbim të emigratëve dhe shqiptarëve. Pretendimi i anëtarëve të qeverisë është se me këtë draft nuk fitojnë amnisti të korruptuarit por emigrantët.

Sa të besueshëm janë ato?

Pak, për të mos thënë aspak. Fatkeqësisht emigrantët po përdoren si fasadë për të mbuluar qëllimin e vërtetë të qeverisë, legalizimin e parave të fituara pandershmërisht jo nga emigrantët por nga personat që kanë shkelur ligjet.

Pabarazi të tilla kanë shndërruar Shqipërinë në parajsën e pandershmërisë ndërsa e kanë shkretuar atë nga talenti dhe aftësia për të gjeneruar ide të reja në shërbim të kapitalit dhe ekonomisë.

Shqetësimi im është se shqiptari që punon për të prodhuar ide dhe risi teknologjike taksohet deri në 23% ndërsa ata që punojnë pandershmërisht taksohen 7% dhe amnistohen.

Shqetësimi i BE është edhe më i saktë, përderisa Shqipëria ka rrezik të kthehet jo vetëm parajsë e të dënuarve shqiptarë por edhe parajsa e të huajve që kërkojnë amnisti fiskale dhe penale.

Reagimi Komisionit Europian vetëm sa përforcon frikërat se ky projektligj do të amnistojë jo mundin e emigrantëve por pandershmërinë.

Ne kemi nevojë për ide, risi dhe zhvillim të ekonomisë pasi ajo do të gjenerojë kapital dhe para. Shqipëria ka nevojë për investime të forta dhe jo për ligje që promovojnë pandershmërinë dhe pabarazinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb