Organizata jo qeveritare me bazë në Londër, “Amnesty International” në raportin vjetor për të drejtat e njeriut është përqendruar edhe tek Shqipëria. Sipas raportit, rruga e Shqipërisë për anëtarësimin në BE u pengua nga përparimi i ngadalshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Amnesty International” bën të ditur se masat për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit u zbatuan pjesërisht, ndërsa theksohet ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga ana e dy shoqatave të gjyqtarëve për disa nene të ligjit për verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilat u hodhën poshtë në fund të vitit nga Gjykata.

Sa i përket “Lirisë së shprehjes” raporti nënvizon se sulmet fizike kundër gazetarëve investigativë u kryen nga kriminelët e organizuar, ose pronarët e kompanive private që preken nga investimi.

Raporti merr si shembull rastin e gazetarit Elvi Fundo që u rrah në Tiranë, nga agresorët që besohej se ishin të lidhur me krimin e organizuar.

Lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave “Amnesty International” thotë se “raportimet për dhunë në familje janë rritur”.

Raporti përmend gjithashtu rastin e vrasjes gushtin e kaluar të gjykatëses Fildeze Hafizi, e cila u qëllua në makinën e saj nga ish-burri i saj, duke kujtuar këtu se ai ishte dënuar më parë për dhunën ndaj bashkëshortes por ishte liruar në fillim të vitit 2017 pas një amnistie të përgjithshme.

Sa i takon të drejtave të homoseksualëve, raporti thotë se ekziston diskriminim i gjerë në punësim si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
sgs

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb