Amnistia fiskale për të gjithë shqiptarët, e paralajmëruar pak ditë nga kryeministri Edi Rama, është temë diskutimi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24.

Të ftuarit në studio, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Mesdhetar, Adrian Civici, dhe Dekanin e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Luarasi, Mateo Spaho, ngritën dyshime mbi realizimin dhe funksionimin e kësaj amnistie.

Spaho tha se para se të fillojmë një amnisti fiskale duhet të kemi një administratë të mirë, pasi në të kundërt, ky proces do të ngjante si një kulluese makaronash, ku del uji në çdo anë.

Nga ana tjetër, Civici u shpreh se thelbësore për këtë amnisti është vullnetarizmi dhe krijimi i besimit te njerëzit. Ndërsa , ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, pranoi se administrata nuk funksionon, por la të kuptohet se ajo do të përmirësohet.

Pjesë nga diskutimet:
Mateo Spaho: Ka një gjë pse nuk funksion në vende si Shqipëria me këtë sistem tatimor, që sipërmarrësi, në momentin kur nuk do të ndryshojë asgjë me amnistinë, atëherë unë pse këto para duhet t’i deklarojë. Sa mijëra banesa janë ndërtuar në Shqipëri, sa makina janë blerë, pa deklaruar paratë. Dhe sot nuk kemi amnisti, dhe nuk ka ndodhur asgjë. Para se të fillojmë një amnisti, duhet të kemi një administratë të mirë, nuk duhet t’i ngjajmë një kulluese makaronash, ku del ujë nga çdo anë. Pra duhet të jenë të gjitha institucionet gati që të bëhet kjo amnisti, përndryshe është thjesht një amnisti e radhës, që ndihmon miqtë dhe penalizon tjerët.

Denaj: Jeni duke spekuluar, unë dua të shikoj të ardhmen, të shkuarën e vlerësuam, në aspektin që nuk kemi bërë amnisti, por jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ky problem ekziston në Shqipëri si plagë. Në rajon dhe botë të gjithë kanë ecur përpara. E para fillojmë nga konteksti i të ardhurave, kur rajoni i ka më të larta se ne. Edhe unë e thashë që administrata nuk funksion, por administrata nuk do rri këtu.

Civici: Po nuk u dhanë garancitë maksimale, nuk do të ketë përfshirje në amnisti, duhet besim te njerëzit, dhe vija të qarta kush rrezikon. Duhet parë si paketë komplekse, që të mos shkojë në dështim, dhe që të bëhet seriozisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb