Ashtu siç ishte parashikuar, disa të dënuar, kryesisht gra, të mitur dhe të moshuar, kanë përfituar nga amnistia dhe do të kalojnë festat e fundvitit jashtë qelive.

Në një dalje publike ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se nga 56 gra të dënuara me burg, 28 prej tyre kanë fituar lirimin e menjëhershëm nga këto institucione, ndërsa per disa të tjera do te kete ulje të dënimit me 1/3.

“Ndryshe nga herët e tjera, qëllimi i qeverisë, por edhe i imi personalisht, ka qenë që kjo amnisti t’i dedikohet disa kategorive, si grave, të miturve, të moshuarve që vuajnë dënimin në këto institucione. Nga kjo amnisti përfitojnë disa kategori që vlerësohen që për shkak të dënimit të mbetur, ose veprës së lehtë, të lirohen para kohës së kryerjes së këtij dënimi. Nga amnistia e miratuar nga Këshilli i Ministrave, në bazë të gjitha kritereve të vendosura, më të lehtësuara për gra dhe të mitur, nga 56 gra të dënuara, u vendos për lirim të menjëhershëm për 28 gra. Ndërsa 28 gra dhe përfitojnë ulje me 1/3 të dënimit të mbetur. Përfitojnë gjithashtu dhe 4 të dënuar të mitur, dhe dy të tjerë përfitojnë me ulje me 1/3 të dënimit. Një tjetër kategori përfituese janë dhe burrat mbi 60 vjeç, që nuk janë dënuar për vepra penale që ndalohen për të përfituar nga amnistia. Pavarësisht se një pjesë e të dënuarve mund të përmbushin një kushtin e dënimit ose të moshës, por nëse ata janë dënuar për vepra penale të rënda, nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti.”, tha Gjonaj.

Deklarata e plote:

Jam sot përpara jush për t’ju bërë me dije se Këshilli i Ministrave sapo ka miratuar vendimin për propozimin e projektligjit të amnistisë.

Propozimi i këtij projektligji, ishte një kërkesë e kahershme dhe që padyshim një pjesë e të dënuarve kishin parashtruar shpeshmi në Ministrinë e Drejtësisë.

Theksoj se ne kemi vlerësuar dhe analizuar me kujdes të gjitha kërkesat e paraqitura. Ndërkohë, nga ana tjetër është vlerësuar edhe nevoja që pjesa e vuajtur e dënimit të ketë përmbushur qëllimin e dënimit, pra rehabilitimin e plotë të personave të dënuar.

Ndryshe nga herët e tjera, angazhimi kryesor i qeverisë, por edhe i imi personalisht si Ministre e Drejtësisë ka qënë që kjo amnisti ti dedikohej disa kategorive të veçanta si grave të miturve dhe të moshuarve që vuajnë dënimin nga IEVP.

Nga kjo amnisti përfitojnë një kategori të dënuarish që vlerësohet se për shkak të dënimit të mbetur ose veprës së lehtë për të cilën janë dënuar, të lirohen përpara kohës.

Nga amnistia e miratuar nga Këshilli i Ministrave në bazë të gjitha kritereve të vendosura, më të lehtësuara për gratë dhe për të miturit, nga 56 gra që vuajnë aktualisht dënimin, përfitojnë lirim të menjëhershëm gjysma e tyre.

Thënë më qartë, fitojnë lirinë 28 gra, dhe përfitojnë ulje me 1/3e dënimit të mbetur 28 gra të tjera.

Përfitojnë gjithashtu dhe 4 të dënuar të mitur ku vuajnë sot dënimin, dhe dy të tjerë përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit.

Nga ana tjetër, nga kjo amnisti, përfitojnë edhe një numër i konsiderueshëm burrash, të cilët janë dënuar me dënim të formës së prerë deri në 2 vjet, dënim i formës së prerë deri në datën 30.09.2019 , ose u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet burgim.

Gjithashtu, një kategori tjetër përfituese janë edhe burrat mbi 60 vjeç të cilët nuk janë dënuar për vepra penale që janë të ndaluara për të përfituar nga amnistia. Sigurisht, duhet vënë në dukje që pavarësisht senjë pjesë e të dënuarve  mund të përmbushin kushtin e denimit ose të moshës, në rast se këto persona janë dënuar për një kategori të caktuar të veprave penale, që kryesisht janë vepra penale të rënda ose shumë të rënda, nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti.

Tashmë, besojmë që edhe Kuvendi do të jetë dakort me propozimin e qeverisë për miratimin e këtij projektligji për t’i bërë më të afërta ditët kur kjo kategori e të burgosurve do të jetë pranë familjarëve të tyre.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb