Ministrja Etilda Gjonaj e ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 është shprehur se për amnistinë e fundvitit në burgje u përfcaktuan kritere të ndryshme për gratë dhe të tjera për burrat.

Përfituan ato gra të cilat kishin dënim më pak se 3 vite burg ose që i kishin mbetur më pak se 3 vite, kurse për burrat kjo shifër ishte 2. Por një ndryshim tjetër ishte dhe se për burrat nuk pati ulje të dënimit si tek gratë por vetëm lirime. Kjo ndodhi sipas Gjonajt për të ulur abuzimet pasi numri i grave në burgjet shqiptare është shumë i ulët në krahasim me atë të burrave.

Po ashtu ajo thotë se si në 2015 dhe në 2019 nuk pati një amnisti për ata që janë ndjekje penale. E para sepse nuk mund të amnistohen personat për të cilët nuk ka një vendim apo dënim.

“Me ndryshimin që Komisioni i Ligjeve vendosi në mbledhjen e fundit ishte ndryshimi datës nga 30.9. 2019 me 30.12.2019 dhe kjo shtrirje kohore duhet të ishte një afat i kufizuar. Ka një rritje të numrit dhe në total janë 180 burra, gra dhe fëmijë të dënuar përfitojnë.
Sot në sistem kemi 54 gra të dënuara me vendim të formës së prerë dhe në momentin që u miratua amnistia disa nga këto gra janë liruar dhe numri është ulur. 22 gra lirohen tërësisht dhe 29 të tjera ulje të 1/3 të dënimit për shkak të shtrirjes kohore nga 30.9.2019 deri në 30.12.2019.
Numri i grave në burgje është i ulët. Rasti i grave përsëritëse në krim i kemi hequr kriteret ndaluese. Gratë që janë dënuar me vendim gjykate nën 3 vite të lirohen, apo atyre që i kanë mbetur më pak se tre vite u ulën. Veprat penale janë kritere ndaluese. Kategoria e dytë përfiton 1/3 e dënimit.
Për burrat mbajmë në konsideratë veprat penale që nuk janë të rrezikshme. Dënimi më pak se 2 vjet për burrat ose atyre që kanë më pak se dy vite për të vuajtur përfitojnë amnisti. Burrat nuk do të përfitojnë ulje të dënimit për të eleminuar abuzimet.
Kemi qenë striktë për masat parandaluese. Një specifikë tjetër që ka amnistia, nuk përfshihet ndjekja penale. Për ata që janë ende në proces dhe ka ndjekjen penale, nuk do të amnistohen.
Në rastin konkret në 2015 ka patur një amnisti ku nuk është përfshirë ndjekja penale përderisa nuk ka një dënim. Amnistia ka qëllim rehabilitimin. Nëse ne do të përfshinim ndjekjen penale atëhere duket sikur ne do të favorizonim pandëshkueshmërinë kur ne jemi për ndëshkueshmëri të të gjithë atyre që shkelin ligjin”, thotë Gjonaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb