Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një deklaratë për media u shpreh se ligji për Amnisitinë Fiskale është barrë për bizneset e ndershme të vendit.

Ajo i bëri thirrje publike opozitës të jetë e bashkuar dhe të mos votojë kalimin në Parlament të këtij ligji.

“Ditët e fundit kemi pasur komunikime me përfaqësues të ndryshëm, si trupi diplomatik këtu në Shqipëri por njëkohësisht dhe me të dërguar special të cilët kanë ardhur për raportimet e tyre periodike dhe shqetësimet kryesore kanë qenë në lidhje me disa iniciativa të veçanta të Qeverisë, ndërmjet të cilave dhe amnisitia fiskale.

Në emër të Partisë Demokratike, unë e kam kundërshtuar amnisitinë fiskale për tre vite me radhë. E kam kundërshtuar këtë iniciativë, si një iniciativë që nuk shkon në të njejtën linjë me shtetin ligjor, që nuk shkon me barazimin e ligjit, por nga ana tjetër cënon punën e bizneseve të ndershme të cilët sot do të vendosen përballë përgjegjësisë për të paguar një normë tatimi shumë herë më të lartë sesa ajo që do t’i ofrohet përsonave që do të jenë subjekt i amnistisë fiskale.

Në gjykimin tim, por edhe të ekspertëve ligji i amnistisë fiskale do të cënoj dhe pagesat e ardhshme të taksave, por ajo që është më e rëndësishmja, do t’i hapi rrugë kapitalit kriminal dhe korruptiv që fatkeqësisht në tetë vitet e fundit në Shqipëri ka qenë në rritje.

Fakti që Shqipëria është pjesë e listës gri të pastrimit të parave duhej të ishte një sinjal për qeverinë shqiptare që nuk është ky drejtimi që duhet shkuar. Nga ana tjetër unë nuk besoj që ka emigrant që është larguar nga Shqipëria në 30 vitet e fundit që ka 2 milionë euro të padeklaruara.

Të gjithë këto faktorë kanë qënë pjesë e diskutimeve të mia me përfaqësuesit, si këtu në Shqipëri por edhe me këdo që ka ardhur dhe shqetësimi që kam ngritur lidhet si nga pikëpamja ekonomike për këto elementë që unë përmenda, por edhe nga pikëpamja e procesit të integrimit.

Në një moment kur qeveria shqiptare duhej të kishte frymën europiane, standartet europiane, normat europiane në çdo ligj, në çdo reformë që bën, është e pamundur që të nisësh diskutimet për ligjet të cilat nuk janë në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian.

Ky është një gur dhe një pengesë e procesit të integrimit, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, parë këtu në kontekstin shqiptar, është një barrë për bizneset e ndershme, është një barrë për ekonominë, është një barrë që sot Shqipëria nuk e ka luksin që ta ketë!”, tha Tabaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb