TIRANË

A do të thotë legalizim i parave të ardhura nga krimi amnistia fiskale? Ish-deputeti dhe juristi Spartak Braho shprehet pro amnistisë, por me një “por” nga pas. Ai thotë se kjo kërkon struktura shumë të forta.

“Është çik bruto, çik e drejtpërdrejt se ligji shprehimisht e ndalon legalizimin e parave që rrjedhin nga aktivitetet e paligjshme kriminale. Janë bërë disa herë tentativa që kanë dashur të bëjnë legalizimin, por kanë ndërhyrë institucionet ndërkombëtare financiare dhe nuk e kanë lejuar. Unë jam për legalizimin, por a do ta arrijnë dot këto struktura të dobëta që kemi ne, që të mos lejojnë dhe legalizimin e parave që vijnë nga krimi. Kjo do struktura shumë të forta. Ai pastrimi i parave që kemi ne, apo bankat që gjysma e bankave tona arrijnë të penetrojnë dhe të pastrojnë para të mafieve të ndryshme. Do të ketë një bum të ardhurash, veçanërisht nga emigrantët që kemi jashtë që kanë grumbulluar para me punë të ndershme, të cilët do t’i sjellin dhe do t’i investojnë këtu. Çfarë ka thënë drejtori i Bankës, guvernatori Sejko? Nuk e dimë çfarë kanë thënë”, u shpreh Braho.

Territorialja
“Ka nevojë për korrigjime në reformën territoriale, por duhet të jetë proces konsultimi shumë i gjerë. U bë atëherë konsulta shumë të mira, por Rama kishte një ide për t’i centralizuar sa më shumë këto njësitë administrative dhe nga 360 u bënë 1/5, por u larguan shërbimet nga populli në një pjesë të mirë të vendit. Ti ndërton bashki si puna e Tiranës që zë nga mali i Dajtit deri në Vorë, por nuk u jep kompetenca njësive. Njësitë duhet të kenë kompetenca të forta, vendimmarrëse, që administrojnë dhe fonde. Sot për sot janë kot. Jam për reformën territoriale, por jo në diktatin e qeverisë. Të bëhen konsultime të gjera ku të jetë e pranishme dhe opozita se në atë kohë nuk erdhi as opozita, institucionet shkencore, Akademia e Shkencave, INSTAT, të kenë një synim, të afrojnë shërbimet sa më afër popullit”, tha Braho.

Lidhur me situatën në PS, ai foli për jesmenë të Ramës dhe theksoi se ka dalë nga parimet.
“Situatë si kjo në PS nuk ka pasur ndonjëherë, emërohen. Çfarë janë këta. Ky shefi i shtabit e ka parti apo ushtri. Në parti duhet të dominojë mendimi i lirë, zgjedhjet një anëtar, një votë. Emëron kryetarin e partisë së Bilishtit, ç’punë ke ti. PS ka dalë nga parimet, ka një anturazh bashkëpunëtorësh të tij që janë kthyer në jesmenë, nuk bëjnë vërejtje. këto parime nuk i kanë as partitë e majta në Evropë, të tëra bëhen me kongres e procedura të rregullta, zgjidhen. Nuk ka më kritikë”, tha Braho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb