Kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se nisma e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për amnisti fiskale te bizneset dhe qytetarët është pozitive, dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë, nëse realizohet siç duhet.

Për biznesmenin Bregasi është me shumë rëndësi, që qeveria duhet të përgatisë një paketë të plotë ligjore, teknike, doganore dhe fiskale, me qëllimin që në momentin që bëhet amnistia fiskale, administrata të jetë e përgatitur për të krijuar një mjedis të barabartë në treg, në mënyrë që të mos ketë me elementë të informalitetit, por të gjithë të jenë të barabartë.

Sipas Bregasit, me rëndësi themelore është që qeveria të mendojë se ku do t’i investojë këto lekë, pasi në të kundërt, kjo nismë do të ishte e dështuar.

“Nëse bankat mbushen me lekë, bankat kanë shumë lekë sot, janë miliarda euro që flenë gjumë, dhe ne nuk duam amnisti për të shtuar dremitjen e parave në banka, por duhet të mendojë qeveria bashkë me biznesin se cilët janë sektorët më të rëndësishëm që duhet të investohen këto lekë”, tha Bregasi.

Intervista:
Si do ta cilësoni nismën për amnisti fiskale?
Biznesi e ka kërkuar shpesh, kështu që në këto kondicione e ka mirëpritur nismën e kryeministrit për një amnisti të gjerë fiskale për bizneset dhe individët, duke përjashtuar mosamnistinë e parave që janë grumbulluar në rrugë kriminale, joligjore. Kërkesa jonë ka qenë e shpeshtë, pasi biznesi duhet të ndahet përfundimisht nga rruga informale dhe të futet në rrugën e një informalizimi të plotë të tregut shqiptar.

Pjesa dërrmuese e biznesit e mirëpret këtë iniciativë, sepse ka si qëllim kryesor edhe formalizimin e ekonomisë. Shteti duhet të krijojë një mjedis më konkurrues, më korrekt për kompanitë që janë në treg. Biznesi do ta mirëpriste këtë masë, nëse do të shoqërohej me përgatitjet e një pakete të plotë ligjore, teknike, doganore dhe fiskale, me qëllim që nga momenti që bëhet amnistia, administrata jonë të jetë e përgatitur për të krijuar një mjedis të barabartë në treg, me qëllim që të mos ketë më elementë të informalitetit në treg. Nëse ne vazhdojmë me të njëjtin sistem taksash, dogash, administratë, pas amnistisë, do të thotë se nuk kemi bërë asgjë. Biznesi e ka mirëpritur, por sigurisht kërkon nga qeveria që kjo masë të shoqërohet me projekte të qarta për administrimin e sistemit të taksave dhe doganave.

Ju si biznes, si përfitues, çfarë do të propozonit?
Amnisti fiskale nuk është qëllim në vetvete, nuk është thjesht për të sjellë ca leke të emigrantëve apo bizneseve të padeklaruara në bankat e Shqipërisë. Pra, nuk është projekt për të grumbulluar ca lekë, sepse do ishte projekt i falimentuar. Unë propozoj që qeveria shqiptare këtë projekt duhet ta shoqërojë me një paketë të plotë ligjore, administrative, strategjike, që paratë që do të grumbullohen, të kenë mundësi në sektorë ku të investohen. Në këtë klimë ligjore burokratike që ka Shqipëria, të paktën në këto vite, mendoj se këto para nuk janë objekt për t’u investuar në ekonominë shqiptare. Nëse bankat mbushen me lekë, bankat kanë shumë lekë sot, janë miliarda euro që flenë gjumë, dhe ne nuk duam amnisti për të shtuar dremitjen e parave në banka, por duhet të mendojë qeveria bashkë me biznesin se cilët janë sektorët më të rëndësishëm që duhet të investohen këto lekë.

Mendoj dhe propozoj që qeveria shqiptare projektin shumë të mirë të amnistisë për kompanitë private dhe individët duhet ta shoqërojë me strategji të qarta. Duhet t’i ftosh qytetarët që këto para t’i investojnë, me qëllim që të punësohen njerëzit, të rritet e ardhura ekonomike e tyre, të rritet GDP. Nëse nuk shoqërohet me këtë, amnistia do jetë e dështuar, do të mblidhen ca lekë, bankat do mbushin depozitat që i kanë plot. Mjaft banka, një pjesë të depozitave i kanë çuar jashtë me interes negativ madje.

Legalizimi i parave të padeklaruara do kryhet përmes një takse, sa mendoni se duhet të jetë?
Biznesi propozohet në nivele të ulëta të taksimit, e pranueshme do të ishte deri në 3%. Sa më e ulët të jetë, aq më shumë nxit shkallën e vullnetarizmit të individëve për të deklaruar paratë. 2-3% do të ishte shumë mirë, sepse një interes më i ulët fton më shumë qytetarët dhe bizneset për të deklaruar pasuritë e tyre. Ata duhet të kuptojnë se paratë e tyre do të investohen në një sektor shumë të rëndësishëm.

Është hera e parë që Shqipëria synon një amnisti të plotë, a mendoni se do t’i marrë votat në parlament?
Kjo është pyetje interesante, sepse edhe qeveria e majtë që është sot ka tentuar të ndërmarrë iniciativa të tilla, por klima jo shumë kuptuese mes klasës politike në Shqipëri e ka bërë të pamundur një amnisti. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, nëse klasa politike do ta japë njëherë konsensusin për të mirën e ekonomisë së vendit, por edhe për të riparuar përgjegjësinë që ka pasur vetë politike. Politika e ka administruar keq vendin, ka krijuar elementë të tillë që i ka dhënë mundësi biznesit të fshehë të ardhurat, pra nuk kanë qenë politika që kanë nxitur deklarimin e të ardhurave, por frenimin e tyre. Kështu që është momenti që politika të korrigjojë një sjellje jo shumë ligjore. Unë i bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë të japin konsensus të këtij projekti shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, njerëzit, emigrantët, biznesin. Do shtoja që kësaj pakete mund t’i shtohet dhe amnistia për disa gjoba, që nuk janë pjesë të projektit kam përshtypjen. Ka shumë gjoba që janë vënë në mënyrë të padrejtë për biznesin, që mbajnë peng marrëdhëniet e kompanive private dhe institucioneve doganore. Janë vite që qëndrojnë dhe i bëjnë presion biznesit, edhe pse biznesi i ka paguar. Është momenti që në këtë amnisti të vendosen edhe disa gjoba, që qëndrojnë padrejtësisht dhe i bëjnë presion biznesit.

Mendoni se do të ketë dakordësinë e ndërkombëtare kjo nismë?
Ministrja tha mbrëmë në “Real Story” se do ketë mbështetje të ndërkombëtarëve, FMN. Duhet bërë mirë kjo nismë, në mënyrë që produkti të shëndoshë ekonominë, pra të krijojmë një atmosferë të gëzueshme, një raport i ri që lind në Shqipëri, në një klimë ku të gjithë të jemi formalë. Të jemi të barabartë në treg. Mora indicie mbrëmë nga ministrja, që dha sinjale se është marrë një miratim në parim nga institucionet ndërkombëtare financiare. Ky është lajm i mirë. Por varet sa seriozë do të jenë këta në këtë projekt që po bëjnë.

Ku mund të çedohet?
Rrezik ka që të jepen disa garanci për këtë, sepse njerëzit duan garanci. Garancitë duhet të jenë shumë të forta, e para është garancia politike, pra një konsensus i gjerë i gjithë spektri politik shqiptar. Të jetë e besueshme që këto para nuk janë thjesht një transferim nga banka greke në atë shqiptare, por të japin garanci për të gjithë ata që pranojnë të japin këto para se do të përdoren pozitivisht.

Nëse votohet, kur priten ndryshimet e para?
Unë mendoj që në fillim do të japin efektet e para. Nëse do ketë dremitje, do jetë pak më vonë. Prurja e parë do jetë shumë e mirë. Biznesi dhe qeveria duhet të bëjnë plane të qarta për të sensibilizuar, që njerëz ta kuptojnë atë që po bëhet, çfarë efektesh ka, kë prek, deri ku shkon. Pra, nëse lobohet mirë, impaktin e parë do ta ketë shumë pozitiv.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb