TIRANË

Ish-drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj e ka cilësuar një lavatriçe për pastrimin e parave ligjin për amnistinë fiskale. Ajo tha në “Frontline” në News24 se njësia Njësia për mbikëqyrjen e deklarimit vullnetar të pasurive do shtojë korrupsionin.

Shehaj argumentoi se pse është kundër dhe se për kë bëhet ky ligj.

“Nuk jam njeri që jam apriori kundër amnistisë. Kur shihja borxhin në tatime unë jam njeriu që kam kërkuar që borxhin e vjetër më mirë fshije se sa mban borxhin e 95-96 dhe amnistinë nuk jam kundër apriori. Ka dhe njerëz që kanë pasur biznes, ka pasur një minimarket te lagjja. Deri në këto nivele nuk është gjë e keqe që t’ia legalizosh. Por kjo që po bëhet nuk ka një analizë. Në qoftë se këta flisnin që në 3 mln euro pasuri, 2 mln janë jashtë sistemit bankar, ky 2 mln a ka një analizë.
Është skandaloze dhe nuk ka…Te kjo pjesa e 2 mln eurove po mendoj nja 2 kompani të mëdha që do legalizojnë deri në 2 mln euro. Për miqtë e tyre nuk tregon shumë leverdi. Flasim për kompani të mëdha. Edhe ai 2 mln duhet të ishte disi ndryshe, në kategori, të kishte tatim ndryshe. Mbi 300-400 mijë euro unë nuk mendoj…Flasim për biznese të mëdha.
Po ndiej që po flitet shumë pak, ligji për tatimin e të ardhurave. Ne individët tatohemi për bruto, nuk njihen shpenzimet. Ke Amerikën, Gjermaninë që njeh shpenzimet. Ky ligji është skandaloz.
Ky ka bërë evazion, ka vjedh atë të ndershmin, të pandershmit kanë sakatuar këta të ndershmit dhe ti sot i legalizon vjedhjen me 7% kurse mua më thua do të tatoj nga 15 deri në 23%”, tha Shehaj.

Ajo tha ligji nuk bëhet për emigrantët pasi ata nuk mund t’i sjellin paratë e tyre për shkak të ndalimeve në vendet ku jetojnë.

“Njësia për mbikëqyrjen e deklarimit vullnetar të pasurive- Ligji që kanë bërë e thotë shumë qartë, jo para që janë subjekt i ligjit antimafia. Ligji antimafia nuk të thotë kur të kapa, por që kur ke lindur apo që në ‘92 dhe shtrihet shumë te familjarët. Ajo njësia aty, kur unë si Briseida do bëj deklarimin, ata duhet të bashkëpunojnë me DSIK etj.
BSH nxori sot raportin që do të thotë të gjitha bankat në Shqipëri janë mbi riskun mesatar për pastrimin e parave dhe kjo është skandaloze. Ata duhet të merrnin informacion në Interpol, duhet të merrnin informacion në shtete të tjera. Do jetë një strukturë që do shtojë korrupsionin në një mënyrë masive. Shpresoj shumë që ata që mendojnë se ky ligji do i ndihmojë të hapin sytë të flasin me juristë sepse do kthehen ca copa mishi për piranjat dhe do kthehen peng i tyre. Kjo është lavatriçe për të pastruar paratë, nuk bëhet fjalë

Ky emigranti si do i sjellë 2 mln euro në Shqipëri? Do bëjë ligj që të lejojë që në kufi të sillen në Shqipëri para cash më shumë se tani? Do i sjellin me Toyota Yaris? Se me bankë nuk vijnë dot? Në qoftë se ti e bën për emigrantët, si do vijë kjo para. Do vejë t’ia marrë Damiani me valixhe, me pasaportë diplomatike? Si? Se kanë një rrugë që do vijnë këto para. Belgu si do e lërë në kufi të kalojë, Italia si do i lërë në kufi. Po i çoi në bankë në Londër i ka direkt të sekuestruara. Po të jetë avioni që përdor Edi Rama po, të shkojë t’i marrë me charter kryeministror dhe pasaportat e tyre diplomatike të vihen në shërbim të çunave dhe të shkojnë tua marrin lekët atje dhe t’i sjellin se nuk ka rrugë tjetër. O do vijnë me bankë, o do vijnë me rrugë tokësore. Po nëse këta kanë rënë dakord që BE do hapë dyert që çunat e Londrës, çunat e Spanjës, çunat e Greqisë dhe çunat në gjithë botën kudo që ndodhen i përshëndesim…në qoftë se ata do hapin të gjithë kufijtë që çunat të shpërthejnë në Shqipëri jam dakord, ky ligj do funksionojë. Që këtu kuptohet që ky ligj nuk është serioz se s’ka si vjen ajo paraja. Do legalizohen këto këtu, do legalizohet betoni, do legalizohet ndërtimi se vetëm në Shqipëri ndodh që kompani të mëdha marrin 700 kontrata në shëndetësi, në rrugë, kompani uji, naftë, teatro dhe çuditërisht janë aq të mëdha dhe kanë aq shumë likuiditet sa të investojnë qindra miliona njëkohësisht te të gjitha”, deklaroi Shehaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb