TIRANË- Nga 13 Janari nis një jetë tjetër për 731 të dënuar. Për shkak të amnistisë së fundvitit, 731 të burgosur, mes tyre 9 gra dhe 4 të mitur dalin në liri. Procesi i lirimit do të fillojë në 08:30 të mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri në orët e vona të ditës së nesërme.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb”, se Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve do të jenë nesër në burgun e grave në “Ali Demi” ku do të lënë qelitë 9 gra, 3 prej tyre janë të dënuara për vrasje.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve numri më i madh i të dënuarve që fitojnë lirinë janë në burgun e Fierit, ku 152 persona do të lënë nesër qelitë. Nga burgu i Peqinit do të lirohen 131 persona; nga burgu i Shënkollit në Lezhë, 117 persona; nga burgu i Rrogozhinës,110 persona, ndërsa në burgjet e Tiranës ka një numër të vogël përfituesish, raporton BalkanWeb.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nesër do të ketë në gatishmëri zyrën juridike dhe kartotekën dhe do të bëhet verifikimi i kartelave dhe fotove të çdo të dënuari që nesër fiton lirinë.

Për procesin e lirimit të 731 të burgosurve është vënë në dijeni edhe Policia e Shtetit e cila do t ë asistojë dhe do të ndjekë personat që lënë qelitë me qëllim që ata të mos kenë probleme kur të dalin nga burgu, me persona që mund të kenë qenë më parë në konflikt. Për t’u shënuar është fakti që nga paraburgimi i Kukësit nuk do të dalë asnjë i dënuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb