Vijon me debate të forta përballja mes kryeministrit Edi Rama dhe analistëve Alfred Lela dhe Agron Gjekmarkaj, në emisionin “Real Story”, në News24.

I zënë ngushtë nga analistët për policët që shkuan të armatosur te Teatri Kombëtar ditën e shembjes, kryeministri Rama ka bërtitur me zë të lartë që ta lënë të flasë, duke iu thënë se ata janë goditur në tru dhe jo nga policia, pasi sipas tij, nuk ka dhunë që të bën kështu.

Pjesë nga debati:
Lela: Ligji i atij ka vdekur, Shqipëria e tij ka vdekur.
Gjekamarkaj: Ju keni vrarë demokracinë në Shqipëri, zotëri. Policët kanë hyrë me armë në teatër, ka video gjithandej.
Rama: Ore ju bashkë me godinën e teatrit, keni humbur dhe daullen e veshit se nuk ka mundësi. Ata policë të filmuar me armë kanë qenë forca speciale brenda Ministrisë së Brendshme, nuk kanë qenë aty për të hequr njerëz.
Lela: Pse dolën? Çfarë rreziku kishte?
Rama: Më lër more të flas, uaaa. Ore zotëri, është e pabesueshme. Të kishit ju këtu një diktator, do të kishit dalë të tre jashtë me këtë sjellje. Kjo është skandaloze, më keni ftuar këtu dhe bërtisni. Më lini të mbaroj.
Balla: Çohu e rrife, nëse ke ardhur për ta rrafur. Lela ti e di qëndrimin tim për ngjarjen, të lutem shumë ta respektojmë kryeministrin.
Rama-Lelës: Ti je i goditur sot (prek trurin me gisht). Sot je i goditur, bashkë me atë (tregon me gisht Gjekmarkajn, se po flisni përçart, s’ka dhunë që të bën kështu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb