Komisioni Evropian vlerëson në raportin e tij se Kosova ka bërë përparime të kufizuara në reformat që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas raportit, mungesa e përparimit është pasojë e situatës të paqëndrueshme politike në vend, zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërrimit të qeverive dhe përballjes me pandeminë COVID-19.

Në raport, Kosovës i bëhet thirrje që të vazhdojë bisedimet me Serbinë, të trajtojë korrupsionin dhe të bëjë përmirësime në sistemin e drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se qeveria e tij është duke bërë përpjekje që të përmbushë kriteret që dalin nga procesi integrues dhe se kjo mbetet përparësi e punës së tij.

Por, puna e qeverisë po kritikohet nga organizatat e shoqërisë civile të cilat thonë se Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet që nuk po i përmbush kriteret e kërkuara për integrimet evropiane.

Drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbresha Loxha tha sot se raporti për Kosovën nuk vëren asnjë përparim serioz në asnjë fushë të procesit integrues, e cila sipas saj, dëshmon që qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e pafuqishme dhe politikisht e paaftë.

“Raporti gjithashtu nuk e shënon asnjë iniciativë serioze të reformave që do të kishte marr qeveria dhe kjo është një dëshmi që sistemi i qeverisjes në Kosovë vazhdon të ushtron një mandat që synon të mirëmbajë një status quo dhe gjithashtu nuk parasheh dhe nuk ndërmerr asnjë veprim që synon të ndryshoj në thelb situatën në sektorë të caktuar të politikave publike”, tha ajo.

Njohësi i proceseve integruese evropiane, Besnik Vasolli, tha për Zërin e Amerikës se problemi qëndron tek vullneti politik për t’u marr seriozisht me zbatimin e këtyre kritereve.

“Zbatimi i këtyre kritereve në tjetrën anë do të kishte ndikim edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe dukurive tjera negative në shoqërinë tonë dhe kjo nganjëherë lenë përshtypje që nuk është duke i konvenuar skenës politike që t’i shkoj deri në fund kësaj pune. Në anën tjetër të themi ngulfatja ose ngërçi politik i cili tash e sa vite është duke ndodhur në Kosovë nuk po lenë hapësirë të mjaftueshme as për debat e lëre më për zbatim të mirëfilltë të këtyre kritereve”, tha ai.

Zoti Vasolli thotë se vendet e Bashkimit Evropian kanë dallime të mëdha në qasjen e tyre ndaj procesit të integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo po vërehet edhe në rastin e Kosovës kur bëhet fjalë për procesin e liberalizimit të vizave.

“Sa i përket të gjeturave, raporti gjithmonë mundohet t’i evidentojë ato përparime të arritura kështu që edhe kësaj radhe kishte të arritura që i përmend raporti mirëpo në masë të madhe nuk ka ndonjë ndryshim domethënës të themi me të cilën ne do të mund të mburremi dhe me të cilin do ta shtynte Kosovën më afër BE-së. Ky raport kësaj radhe do të jetë më lehtë i përballueshëm nga institucionet e Kosovës sepse për fat të keq periudha raportuese mbulon tri qeveri dhe kështu që do ta ketë lehtë ta vendosin fajin njëri-tjetrit”, tha ai.

Sipas raportit, sistemi gjyqësor i Kosovës mbetet ende në një fazë të hershme të përgatitjes dhe mbetet ende i cenueshëm nga ndikimi politik. Po ashtu në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit, Kosova mbetet në një fazë të hershme të luftimit dhe ekziston nevoja për vullnet të fortë politik për të trajtuar çështjen e korrupsionit.

Arbresha Loxha thotë se raporti nxjerr në pah se nuk është ndërmarr asnjë reformë serioze në sistemin e drejtësisë gjatë këtij viti dhe asnjë rast i korrupsionit i nivelit të lartë nuk është gjykuar me seriozitet.

“Çdo qeveri në rajon ka të paktën një reformë të thellë strukturore për të cilën është vlerësuar nga Komisioni Evropian ndërsa Kosovës i mungon një gjë e tillë, pra nuk ka asnjë reformë të thellë strukturore të cilën e ka vlerësuar pozitivisht KE në raportin për vendin”, tha zonja Loxha.

Raporti i Komisionit Evropian ndërkaq përshëndet vendimin e Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, që i ka hapur mundësi rifillimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas raportit, Kosova ka treguar përkushtim dhe angazhim në këtë proces por duhet të bëj më shumë përpjekje thelbësore dhe të ndihmojë krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për të mundësuar arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme me Serbinë./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb