Politologu Adri Nurellari komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, vizitën e zv.kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në Shqipëri. Nurellari tha se Abazoviç është një politikan i zoti, por sipas tij, ai nuk përfaqëson partitë shqiptare dhe vendimet e tij janë në interes të koalicionit ku bën pjesë.

“Abazoviç nuk është përfaqësues i partive shqiptare në Mal të Zi. Në Mal të Zi ka pasur shqiptarë që i kanë shërbyer Jugosllavisë, partisë së Gjukanoviç. Politikanë shqiptarë që punojnë në partitë malazeze ka pasur pa fund, dallimin e bëjnë partitë shqiptare etnike, që kërkojnë ndryshime të mëdha. Fakti dhe historia e Malit të Zi tregon se pavarësisht se ka pasur deputetë e ministra shqiptarë, që kanë pjesë e partive malazeze, ndryshimi ka qenë minimal, por ndryshimin e kanë bërë vetëm partitë shqiptare etnike. Abazovic është politikan i zoti, por politikat dhe vendimet e tij janë në interes të koalicionit ku bën pjesë. Duhet pak skepticizëm për sa i përket faktit se një shqiptar po bën karrierë në një vend tjetër”, tha Nurellari.

Më tej, analisti foli për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ku një ditë më parë u mblodh Kryesia, ndërsa nesër pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar. Nurellari tha se PD i ka të gjitha mundësitë të fitojë, por sipas tij, ajo duhet të hapet si parti, të rekrutojë akademikë, shoqërinë civile, etj., për të fituar besimin e shqiptarëve.

“Shpresoja të kishte ndryshime rrënjësore dhe një reflektim më kurajoz, ndryshime radikale të brendshme. Mendoj se PD që të fitojë, dhe do doja që të fitonte, për të penguar kalbjen e mëtejshme të shtetit shqiptar, por PD duhet të bëjë diferencën nga PS. Do doja të shikoja një parti që të merrte hapa për t’u bërë më e hapur, më demokratike dhe me më shumë kurajo për t’u ripërtërirë. Por, deri më tani e shoh të vështirë që kjo parti të bëjë një reformim të mirëfilltë. PD ka forcë për të ndryshuar, sepse vetëm kështu mund ta ndryshojë Shqipërinë. PD mund të fitojë besimin e shqiptarëve. Së pari, nuk mendoj se analizën duhet ta bëjnë njerëz brenda partitë. Duhet bërë nga një audit apo konsulentë të jashtëm, që nuk janë palë të përfshira. Së dyti, është e kotë t’iu kërkosh përgjegjësi drejtuesve në terren, kur përgjegjësinë se ka mbajtur akoma kryetari. Kjo është e pandershme. Është e kotë të kërkosh përgjegjësi poshtë, kur rezultati është varur nga vendimet që janë marrë lart.

Partia duhet ripërtërirë, duhet rifreskuar, por e shoh të vështirë. Mendoj se ka një mënyrë se si PD fiton zgjedhjet, pasi e ka treguar edhe në vitin 1992, kur nuk ja merrte mendja njeriu. Atëherë fitoi, sepse u hap, kishte ide të qarta, rekrutoi të gjitha figurat nga akademia, shoqëria civile, e fusha të tjera. Edhe në 2005 fitoi, sepse bëri të njëjtën gjë. Por nuk e shoh një gjë të ndodhë tani, shoh një mbyllje të mëtejshme të PD, një lloj ngurtësimi dhe futje në zhguall. Këtë e shoh me keqardhje, por është e vështirë të mundet Rama, kur nuk ofrohet nga alternativë e mundshme”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb