Analisti kosovar, Artan Muhaxhiri, tha në një lidhje me “Skype” për News24 se takimi në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë pritet të sjellë një marrëveshje finale dhe historike për dialogun mes dy vendeve.

Muhaxhiri theksoi se SHBA ka bërë premtime të mëdha për investime të mëdha në Ballkan, dhe posaçërisht në Kosovë dhe Serbi, ndaj dhe të dy këto vende e dinë se nuk ka zgjidhje tjetër, përveç marrëveshjes finale.

“Iniciativa amerikane për riaktivizimin e dialogut ka ardhur si pasojë e një ngecje të madhe, që ka qenë në raport me Brukselin, dhe me pakënaqësitë e mëdha nga pala kosovare. Nga ky qorrsokak ka ardhur ftesa amerikane, e cila është jashtëzakonisht premtuese, sepse është pranuar nga pala kosovare dhe ajo serbe, dhe është e qartë se me 27 do të kemi fillimin e etapës finale të dialogut. Pritet një marrëveshje e madhe, historike, jemi në pran të hapave vendimtarë, sepse ekziston iniciativa e palës serbe, por edhe e asaj amerikane.

Kemi hapa gjigant drejt finalizimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA ka bërë premtime të mëdha, për investime të mëdha në rajonin e Ballkanit dhe posaçërisht në Kosovë e Serbi. Si Kosova, ashtu edhe Serbia, e dinë se nuk ka zgjidhje tjetër, përveç marrëveshjes finale. Është në interesin e të gjitha palëve që dialogu të marrë formë finale”, tha analisti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb