Analisti Preç Zogaj komentoi në një lidhje me “Skype” për News24 miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, duke e cilësuar këtë një veprim të turpshëm dhe të pashoq.

Sipas analistit, PS ka shkelur të gjitha praktikat, duke ndërmarrë këtë vendim të nxituar. Më tej, Zogaj shtoi se në këtë rast nga mazhoranca ka prevaluar dëshira për të nxehur sërish marrëdhëniet politike.

“Hapja e listave është e rëndësishme, por PS ka shkelur të gjitha praktikat. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë atmosferë të relaksuar, po preket elementi themeltar i shtetit, por Rama është nxituar. Ata morën një propozim të drejtë dhe të mirë, sic është ai për hapjen e listave, dhe i bashkangjitën një tjetër ndryshim, që lidhet me zgjedhjet. Ai mendon se nuk i fiton zgjedhjet duke i shtuar votat e veta. Këto nuk janë gjëra që bëhen tani, sikur donin ta merrnin zvarrë opozitën. Ndryshimi u bë me shumë nxitim. Ka prevaluar një dëshirë për të nxehur sërish marrëdhëniet politike, për t’i tendosur ato krejt pa kuptim”, tha Zogaj.

Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese a cenohet marrëveshja e janarit dhe qershorit?
Këtu po luhet një lojë politike për interesa meskine, që s’ka të bëjë fare me atë përpjekjen për një të ardhme të re politike, për zgjedhje të lira e të ndershme. Këtu kanë prevaluar interesa të forta.

Pse mazhoranca nuk i dëgjoi thirrjet e ndërkombëtarëve dhe këta të fundit a kanë tani përgjegjësi?
Ndërkombëtarët kanë luajtur një rol shumë aktiv dhe pozitiv në marrëveshjen e 5 qershorit, por edhe në diskutimin e post-marrëveshjes. Cfarë përgjegjësish do iu kërkosh atyre, kur ngulmuan se këto janë gjëra që bëhen me konsensus. Nuk është qarkor Kushtetuta, që të ndryshohet kështu. Kemi shumë raste në Evropë, që këto ndryshime kushtetuese që janë bërë nga një palë me nxitim, me sfidë të palës tjetër, janë kthyer në vulnerabël për partitë që i kanë marrë. Unë do t’i sugjeroja opozitës një qëndrim më gjakftohtë. Kjo i mbetet Ramës dhe mazhorancës si një turp dhe një veprim që rrallë i gjen shok. Ata kanë dëshmuar se sa të lidhur janë me pushtetin, duke rrezikuar edhe sovranizmin apo marrëdhëniet e mira që kanë me partnerët ndërkombëtarë. Është e papranueshme të hidhen në kosh arritje të mëdha për një grusht të vogël.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb