Analisti shqiptar, Genc Burimi, komentoi nga Parisi zhvillimet e fundit në SHBA, ku po inaugurohet Presidenti i ri, Joe Biden.

Në një lidhje me “Skype” për News24, analisti tha se Biden do të firmosë 15 dekrete, sapo të marrë zyrtarisht pushtetin, ku do të shfuqizojë të gjitha dekretet e gabuara të paraardhësit të tij, Donald Trump.

Sipas Burimit, pikërisht një gjë e tillë i mungon politikës shqiptare, pasi ai tha se Basha duhet t’iu premtojë shqiptarëve, se nëse vjen në pushtet në zgjedhjet e 25 prillit, do të shfuqizojë vendimet e gabuara të Edi Ramës.

“Me Joe Biden, SHBA i rikthehet normalitetit. Aktualisht amerikanët po shijojnë kthimin në normalitet, edhe pse Trump nuk do të tërhiqet. Trump, që kur vuri në pikëpyetje miqësinë SHBA-Gjermani, aty ishte fundi i gjithçkaje. Nuk është e habitshme që ai të mos jetë sot në inaugurimin e Biden. Ka disa linja të thella të politikës së jashtme amerikane, që pavarësisht se kush është në pushtet, nuk ndryshojnë. Problemi i SHBA sot është se nuk mund të ketë flotë ushtarake të fuqishme dhe bindëse në Mesdhe dhe Azinë e Largët. Për amerikanët sot e rëndësishme është ajo pjesë e globit ku janë më të sfiduar, që është pikërisht Kina. Çfarë do të ndodhë, nëse Kina vendos të shkojë në Taivan? Plas lufta! SHBA është sot garant i pavarësisë së Taivanit, siç është i Kosovës. Largimi i SHBA nga çështjet e mbrojtjes në Evropë, do të thotë që kemi fuqi në Evropë, Francën dhe Gjermaninë. Sot Biden firmos 15 dekrete, menjëherë sapo vjen në pushtet. Mes tyre është muri me Meksikën, historia e rifutjes në marrëveshjen e Parisit, dekreti për legalizuar në SHBA 700 mijë të rinj, që kanë hyrë ilegalisht, etj.

Biden po shfuqizon gjërat më të errëta të bëra nga Trump. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Nëse Basha dhe Kryemadhi vijnë në pushtet, a janë të gatshëm të shfuqizojnë PPP. A është gati që Basha sot të premtojë se, kur të vijë në pushtet, çdo ndryshim kushtetues të bëhet vetëm me referendum, të premtojë të heqë akcizat mbi naftën, etj. Kjo më pëlqen te Amerika. Historia e 15 dekreteve është shumë e rëndësishme, i çohet mesazh amerikanëve. Pra, Basha duhet të premtojë të bëjë, me të ardhur në pushtet, të gjitha gjërat që nuk i kanë pëlqyer te Rama. Kjo i mungon Shqipërisë. Këtu në SHBA ka ndryshime të vërteta dhe radikale.

Një tjetër gjë e rëndësishme është se kush do ta pilotojë çështjen e Kosovës, BE apo SHBA? Gjithashtu është edhe dosja e Iranit, që impakton direkt Izraelin. Në radhë të parë është mbrojtja dhe vetëmbrojtja. E dyta është marrëdhëniet tregtare. Kina është një problem vërtet serioz, sepse fiton në fuqi blerëse, si në Evropë, si në SHBA, pasi malli i tyre është më i lirë. Duhet parë si do të evoluojnë gjërat”, tha analisti.

Më tej, analisti Burimi u pyet edhe për reagimi i Francës pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për vaksinën anti-Covid, duke thënë se akuzat e Ramës ishin një idiotësi totale, dhe që dukej sikur ky i fundit po i shkelte syrin Presidentit të Turqisë, Recep Tayip Erdogan.

“Është një episod që do të mbarojë me kaq. Franca nuk habitet shumë, sepse Rama mori shembull Francën, ndërkohë që dihet që është aleat i fuqishëm i Erdogan. Më shumë se vaksina, kjo lë shije të keqe. Sigurisht që lidhja e tij me Erdogan shihet në Francë. Është gafë e jashtëzakonshme që Franca mban vaksina rezervë, pasi është e kundërta në fakt. Franca është si puna e Shqipërisë, ka vetë problem për vaksinat e premtuara nga Pfizer. Është idiotësi totale ajo që tha Rama. Ky sulm i Ramës ndaj BE-së shihet si një lloj shkelje syri që i bën Erdoganit”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb