Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, dhe analisti Adri Nurellari, komentuan në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur kryesisht tek opozita e kryesuar nga Lulzim Basha.

Analisti Nurellari tha se nuk pret më ndryshim nga kryeministri Edi Rama, ndërsa e krahasoi qeverisjen e tij me skllavërinë e kohëve të hershme në kolonitë britanike.

Nga ana tjetër, Kadilli deklaroi se “Është detyrë e Bashës ta ketë veshin e hapur të dëgjojë, lëkurën e hollë të ndjejë, për t’iu përgjigjur qytetarëve. Vetëm në këtë rast ne do jemi një opozitë e re, që arrin shumë shpejt, ndoshta më 2025, pushtetin”.

Mes të tjerash, Kadilli u shpreh se morali që i kërkon Bashës është morali i antikorrupsionit, që sipas tij, luftohet vetëm në sistem, jo me retorikë, as me denoncime nga selia e PD, apo me protesta.

Pjesë nga diskutimet:
Nurellari: Nuk besoj se do të ketë ndryshim thelbësor në qeverisje, Rama është dëshmuar tashmë, është një ndër politikanët më të vjetër e më të fuqishëm që ka pasur Shqipëria, është një ndër njerëzit që ka dominuar tranzicionin. Sa më shumë pushtet ka, aq më shumë ai pushtet kërkon. Pra, nuk besoj se duke u fuqizuar, ai të tregojë tolerancë. Ai e ka shfrytëzuar mungesën e opozitës për të konsoliduar edhe më tej pushtetin. E shohim në përpjekjet për të shkarkuar presidentin, edhe kjo në kuadër të përpjekjes për të marrë më shumë pushtet.

Në kolonitë britanike harxhoje aq shumë energji për të kapur sa më shumë skllevër. Ata bënin model ndëshkimi skllavin e arratisur. Kjo po ndodh edhe me Ramën, i cili siç e pamë me Lelin, pak ditë pasi e ndëshkoi, e quajti “të vdekur”. Është një sjellje tipike arrogante, me nuanca despotike lindore. Unë mendoj që ka pasur një pakënaqësi të jashtëzakonshme te qytetarët, por Rama u tregua më i zoti në retorikë. Ka pasur njerëz të opozitës që e kanë ngrënë karremin e tij. Unë mendoj se problemet janë aty dhe e kam të vështirë të mendoj se i njëjti kryeministër në mandatin e tretë do të ndryshojë.

Kadilli: Unë nuk kam zbutur asnjë ton ndaj z. Basha. Unë e pranoj rezultatin, sepse nuk fshihem pas pabarazisë së garës. Gara ishte shumë e pabarabartë, e dukshme. Por, ajo është një garë e mbyllur. Çdo demokrat kishte një shans të zgjidhet dhe ata zgjodhën e janë përgjegjës për të. Në këtë moment unë nuk kam më punë me z. Basha, por e kam me Ramën. Është detyrë e Bashës ta ketë veshin e hapur të dëgjojë, lëkurën e hollë të ndjejë, për t’iu përgjigjur qytetarëve. Vetëm në këtë rast ne do jemi një opozitë e re, që arrin shumë shpejt, ndoshta më 2025, pushtetin. Edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë unë paraqita që manifesti im politik të merret parasysh, nga statuti, te ndryshimet e sjelljes brenda partisë. Unë kam qenë shumë i qartë, kur kam kërkuar ndryshim të kodit elektoral, Kushtetuta duhet ribalancuar, ndarja e re territoriale-administrative dhe reforma në drejtësi. Ne nuk mund të jemi në distancë me këtë reformë. Morali që i kërkoj unë sot Bashës është morali i antikorrupsionit. Antikorrupsioni luftohet në sistem, jo me retorikë, as me denoncime nga selia e PD, apo me protesta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb