Akti i dorëheqjes së Lulëzim Bashës krijon një standard të ri dhe të padëgjuar politik për Partinë Demokratike. Basha është i pari kryetar real i PD-së që dorëhiqet realisht. Berisha kurrë nuk tërhoq nga të qenurit kryetar i PD-së, pavarësisht se në 30 vitet e fundit e ka reduktuar vazhdimisht elektoratin e saj dhe ka një koleksion impresionant humbjesh (zgjedhjet lokale të vitit 1992, Referendumin e viti 1994, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1997, zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, zgjedhjet parlamentare të vitit 2013). Foltorja tregoi qartë se dorëheqja e tij e vitit 2013 ishte thjesht një fasadë.

Pikërisht për këtë arsye dorëheqja e Bashës ka shkaktuar kaq shumë hutim në skenën tonë politike në përgjithësi dhe tek berishistët në veçanti. Këta të fundit e shikojnë me dyshim dorëheqjen si një truk për tu rikthyer përsëri në krye të PD-së, a thua se Basha është Berisha. Me një inkoherencë komike berishistët e akuzojnë Bashën se po bën të njëjtën lojë si lideri i tyre Berisha në vitin 2013.

Natyrisht të shumtë janë ata që me të drejtë e gjykojnë dorëheqjen e Bashës si të vonuar. Basha duhet të ish dorëhequr që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021. Por Basha i 25 Prillit ishte politikani berishist që nuk dorëhiqej para humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, dhe jo më për humbjen e disa bashkive pa vlerë. Ky është paradoksi i berishizmit që e rizgjodhi Bashën kryetar dje pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme dhe i kërkonte dorëheqjen sot pas humbjes së disa bashkive pa vlerë.

Është një paradoks që buron nga fakti se berishizmi nuk ka parime por vetëm interesin personal të doktorit si udhërrëfyes politik. Dhe pikërisht këtu qëndron standardi i dytë që vuri Basha, vendosja e interesit të PD-së mbi interesin e liderit. Ky është një tjetër standard i paparë dhe i padëgjuar në PD, ku interesi i Berishës i është njehsuar vazhdimisht me interesin e PD-së.

Dorëheqja e Bashës tregoi se vendimi i tij për mos ta futur PD-në në inkoherencë politike dhe në përballje me SHBA-të sakrifikoi interesin personal të Bashës për interesin e PD-së. Në këtë aspekt dorëheqja legjitimon përjashtimin e Berishës si një akt që u bë për interesin e PD-së dhe jo të kryetarit. Në fakt edhe kritikët më të ashpër të Bashës e pranojnë se ai nuk ish asnjë interes të konfliktohej me Berishën. Përkundrazi, ai sot do vazhdonte qetësisht të vegjetonte në krye të PD-së nëse thjesht do refuzonte ta përjashtonte Berishën nga grupi Parlamentar duke futur PD-në në konflikt të hapur me SHBA-të dhe opinion publik.

Aq e vërtetë është kjo saqë Berishës iu desh të shpikte përrallën e pengut sepse nuk e akuzonte dot Bashës se po vepronte për interes personal. Pra motivi më themelor i politikës shqiptare, interesi personal, nuk mund të aplikohej në rastin e vendimit të Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar. Ndaj berishistët arsyetimin politik e zëvendësuan me teoritë e konspiracionit dhe denoncimin: Basha është i kapur, është legen, është besëprerë. Tani që Basha dha dorëheqjen të gjitha këto arsyetime bien dhe mbetet fakti se për herë të parë PD-ja ka pasur një lider që sakrifikoi interesin dhe ambicien personale për interesin e partisë. Ideja se Basha iku se nuk kish se cfarë të bënte nuk pin ujë. Në skenën tonë politike kanë mbetur boll politikanë me parti edhe më të vogla se PD-ja e Bashës, që nga Pollo deri tek Mediu.

Asnjë nga dy standarde politike që vendosi Basha nuk është i rastësishëm. Ato janë produkt i ndarjes së PD-së nga berishizmi. Ndaj ideja e bashkimit duhet paraprirë nga ideja e rinovimit. Dy standardet politike të vendosura nga Basha duhet të përcaktojnë kriteret dhe profilin e lidershipit të ardhshëm. Janë dy standarde që automatikisht përjashtojnë berishizmin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: