Ka kaluar tashmë një javë nga finalja e UEFA Conference League në Tiranë, eventi më i madh ndërkombëtar i futbollit i organizuar ndonjëherë në Shqipëri.

Një ndeshje e madhe ku Roma ia doli të rrëmbejë trofeun pasi mundi Fejnordin, në një kohë që vëmendja mediatike për këtë ngjarje ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

Një eksperiencë thelbësore për rritjen e vendit, por edhe të sportit shqiptar: “Nëse bëjmë bilanc, ka shkuar mirë nga të gjitha këndvështrimet, organizative dhe sportive. Mendoj se të gjithë ata që morën pjesë në këtë event kanë qenë të kënaqur, qëllimi ynë ishte që të gjithë të largoheshin të lumtur nga Shqipëria, tifozët, lojtarët, drejtuesit dhe mendoj se ia dolëm”.

Kështu shprehet presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i intervistuar nga faqja e madhe e lajmeve sportive në Itali “Calciomercato.it”.

“Gjëja më e rëndësishme që na solli kjo ngjarje është promovimi i futbollit në vendin tonë, për t’i afruar fëmijët me këtë sport. Dhe më pas në nivel ndërkombëtar na ndihmoi t’u tregojmë të gjithëve se Shqipëria dhe Federata jonë janë në gjendje të organizojnë një event kaq të rëndësishëm, – shpjegon Duka -. Edhe në aspektin e merkatos së futbollit, për lojtarët që ndoshta një ditë duan të vijnë këtu për të luajtur”.

Sigurisht që edhe prezenca e Hoze Murinjos i dha një shtysë të këndshme kësaj ngjarjeje: “Duhet të jem i sinqertë, prania e Murinjos ishte një nga arsyet që na shtyu të organizonim këtë ndeshje. Ai është një emër i madh në futboll, një trajner i madh që ka fituar shumë trofe dhe tani ka fituar edhe në Tiranë duke e bërë gjithçka më të ndjeshme në të gjithë botën”, – tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit për Calciomercato.it.

Nuk mund të mungonte edhe një batutë e Dukës për “Special One”: “Murinjo është gjithmonë Murinjo. Por gaboi që nuk e aktivizoi Kumbullën, po të kishte fituar kupën me të në fushën e lojës do të ishte edhe më bukur. Megjithatë, për futbollin shqiptar ishte një promovim i shkëlqyer, që në fakt shkon përtej sportit. Të gjithë ishin skeptikë për të ardhur këtu për këtë finale, tani askush nuk ka për çfarë të ankohet, sepse organizimi ishte shumë i mirë dhe ne jemi shumë të kënaqur për këtë”.

Shqipëria është duke u zhvilluar shumë, në Itali prej vitesh ka disa lojtarë të rëndësishëm që militojnë në ligën elitare. I fundit prej tyre është Kristjan Asllani, mesfushori i ri i lindur në vitin 2002 në pronësi të Empolit, i cili prej javësh përflitet për një kalim tek Interi si zëvendës i mundshëm i Brozoviçit:

“Ai është një lojtar shumë i mirë, ka bërë paraqitje të shkëlqyera me Empolin në gjysmën e dytë të sezonit, duke fituar edhe ftesën e Kombëtares. Jam i sigurt se Asllani do të ketë një karrierë të shkëlqyer. Shpresojmë që ai të shkojë tek Interi, por për këta lojtarë të rinj është më mirë të qëndrojnë aty ku janë dhe të luajnë të gjitha ndeshjet e tyre për 90 minuta, sesa të shkojnë te një klub i madh dhe të mos luajnë.

Pra, edhe Asllani duhet të vlerësojë me kujdes nëse mund të luajë si titullar me Interin ose jo. Të shkosh atje për të qëndruar rezervë nuk është mirë për askënd”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.

Në Tiranë, Duka pati mundësinë të takonte për herë të parë Françesko Totin, në një drekë pak orë para ndeshjes: “Nuk folëm shumë, e lamë të qetë të priste ndeshjen, si mik, duke mos e shqetësuar me biseda pune apo projektesh për të ardhmen. Ishte personazh shumë simpatik, njësoj siç ka qenë edhe në fushë.

Nuk di asgjë për rikthimin e tij te Roma, nuk i di planet e tij. E shoh gjithmonë si sinonim të Romës, nëse do të kthehej në Romë, megjithatë, do të ishte diçka normale. Do të ishte e çuditshme nëse ai do të shkonte te Juventusi”.

Shqipëria është e lidhur ngushtë me Italinë dhe kryeqytetin, duke qenë se drejtori sportiv i Lacios është Igli Tare: “Një rikthim në Federatën e futbollit? Pse jo, ai është një nga personazhet tanë më të rëndësishëm në botën e futbollit. Ka bërë një punë shumë të mirë te Lacio, mund të bëjë trajnerin apo drejtuesin këtu, ai është një djalë i aftë që ka edhe shumë përvojë”.

Tani cili do të jetë hapi i radhës për Shqipërinë? “Ne kemi treguar se dimë të organizojmë mirë ngjarje të rëndësishme si kjo, padyshim që mund të provojmë të mirëpresim kompeticione të tjera si kjo, ndoshta ndonjë Superkupë apo turne të tjera. Kemi shumë dëshirë për të bërë gjëra të mëdha”, – theksoi numri një i futbollit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb