Ish-kryeministri Sali Berisha bëri sot një denoncim për fenomenin siç e cilësoi ai të ‘zgjedhësve shëtitës’, duke “demaskuar” kështu rezultatet e 14 majit. Ky denoncim vjen në kuadër të analizës së humbjes që opozita pësoi në këto zgjedhje.

Sipas Berishës, zgjedhës shëtitës janë identifikuar potencialisht 547 mijë persona në zgjedhjet e 14 majit duke bërë me dije se ata do të identifikohen në çdo bashki.

“Farsa zgjedhore maj 2023 kishte dimensionet e saj të shëmtuara, njëri prej të cilëve janë dhe votuesit shëtitës. Votuesit shëtitës u shfaqën si fantazma elektorale në zgjedhjet e 2015, kur një uzinë pa dyer e dritare të braktisur prej vitesh në Kavajë ishte regjistruar si vendbanim për 300 zgjedhës, ndërkohë që nuk kishte asnjëri. Po në qytetin e Durrësit u gjetën votues të regjistruar në garazhe, në kontejnerë në port, gjer dhe te shatërvani në qendër të qytetit si adresë.
Më 25 prill 2021 në rreth e Durrësit votuan 110 mijë zgjedhës, u konstatuan se mbi 5 mijë zgjedhës nuk ishin të identifikuar nga makina e identifikimit të zgjedhësve.
Ajo që dëshmon në përdorimin e fortë të këtij kontingjenti votuesish shëtitës ishte 6 marsi i vitit 2022.
Më 6 mars në Durrës votuan 67 mijë votues, pra numri i votuesve pothuajse u përgjysmua. Ajo që ndodhi në qytetin e Durrësit është se numri i votuesve të paidentifikuar, nga 5 mijë shkoi në 9600.
Po nga kjo analizë na rezultoi se në këtë qytet 3900 emigrantë që rezultuan se kishin votuar, asnjë prej tyre nuk kishte ardhur në Shqipëri, por ishin përdorur kartat e tyre të identitetit”, tha Berisha.

Ai deklaroi se të gjitha këto, PD ia ka dërguar prokurorisë, që sipas Berishës bën ping-pong-un nga prokuroria e Durrësit te SKAP-i nga SKAP-i te prokuroria e Durrësit.

“Në këto zgjedhje ne kemi dokumentuar se ky fenomene u shumëfishua. Në një emision investigativ të Piranjave gjetën se një drejtor i bashkisë së Tiranës kishte regjistruar në 4 apartamente falso rreth 20 qytetarë të cilët nuk kishin banuar kurrë në ato apartamente të tij, por kishin ardhur nga zona të ndryshme dhe kishin votuar për Veliajn”, u shpreh më tej ish-kryeministri.

Berisha theksoi se fenomeni i zgjedhësve shëtitës, është një fenomen i cili po studiohet me intensitet nga PD-ja.

“Ne kemi identifikuar se zgjedhës potencialisht shëtitës janë në të gjithë vendin rreth 547 mijë vetë. Këta zgjedhës po identifikohen bashki më bashki. Këta zgjedhës do identifikohen qendër pas qendre. Një gjë është e sigurt se investigimi i plotë i bërë për një adresë falso në të cilën ishin të regj 20 votues, në të cilën nuk kishin banuar kurrë. Investigimi i bërë nga Piranjat është dëshmi flagrante e pakundërshtueshme se Veliaj ka përdorur sipas analizës sonë këtë proces antiligjor, antikushtetues, këtë krim elektoral në mijëra raste të tjera. Ndaj dhe unë në përputhje me zotimin solemn të PD-së kërkoj mirëkuptimin dhe durimin e qytetarëve sepse do një punë shumë voluminoze identifikimi i zgjedhësve shëtitës për çdo bashki dhe ne do ta bëjmë atë dhe do t’ua paraqesim”, u shpreh ai.

Berisha tha se loja apo manovra me listat e zgjedhësve, është bërë së pari në përjashtimin e mbi 180 mijë zgjedhësve nga votimi duke ua ndryshuar qendrat e votimit, nga Përrenjasi në Tiranë, nga Pogradeci në Lushnjë, nga Tirana në Tropojë, e me radhë.
“Zinxhiri shkon deri në 200 mijë. Krahas kësaj, në farsën elektorale të 14 maj u përdorën fantazmat shëtitëse të zgjedhësve apo zgjedhës që votonin në 2 apo 3 qendra votimi. Do i shkojmë deri në fund kësaj batërdie, farse elektorale”, përfundoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb