Një thikë pas shpine mes vëllezërish, kështu është përcaktuar nga një pjesë e opinionit serb deklarata e presidentit rus Vladimir Putin, ku për herë të parë përdori shembullin e Kosovës për të vënë një paralele me njohjen e rajonit separatist pro-rus të Donbasit në Ukrainë.

Logjika e autoriteteve ruse që “nëse Kosova mundet të njihet atëherë e njejta gjë mund të ndodhë edhe me Donetskun dhe Luhanskun” nuk është pritur mirë në Serbi, shtet i cili ka aleat të fortë Rusinë që nga 17 shkurti 2008, momenti kur Kosova shpalli pavarësinë.

Por duket se Rusia do të vijojë të përdorë precedentin e Kosovës për të justifikuar shkëputjen e njëanshme dhe shpalljen e pavarësisë së republikave popullore të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut. Kjo është konfirmuar edhe nga presidenti rus Vladimir Putin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg gjatë këtij muaji kur ai përsëri e përmendi si shembull, duke shpjeguar njohjen ruse të këtyre dy rajoneve në Ukrainë.

“Kur Kosova shpalli pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nën presionin e vendeve perëndimore, mori vendim që, sipas Kartës së OKB-së, kur një shtet shpall pavarësinë, nuk ka nevojë të kërkohet leje nga qeveria qendrore. Kjo do të thotë se republikat e Donbasit nuk duhej të kërkonin leje nga Kievi”, tha Putin, i cili e shprehu një qëndrim pothuajse të njëjtë edhe në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Por çfarë do të thotë deklarata e Putinit, nëse e përjashtojmë atë nga konteksti të cilit qartë i dedikohet, pra justifikimit të pushtimit të Ukrainës dhe njohja nga Rusia e pavarësisë së republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.

Kosova si “kusur”
Thikë pas shpine Serbisë, që do të ketë si epilog ndryshimin e politikës ruse ndaj qëndrimit të Beogradit zyrtar për pavarësinë e Kosovës, njohjen nga Moska të ekzistencës së shtetit të Kosovës, i pëlqen ose jo Serbisë, ose në praktikë, nuk do të thotë gjë tjetër veçse një “precedent” ka ndodhur rastësisht në Ukrainë, ndaj duhet trajtuar ashtu, shkruan media serbe “Nova”.

Ish-ambasadori i Serbisë në Bjellorusi Sreçko Gjukiç, i cili edhe pas krahasimit të parë të Kosovës me Donetskun dhe Luhanskun, theksoi se “Rusia e njohu Kosovën”, dhe përkujtoi për Al Jazeera se Putini e përdor rregullisht Kosovën për interesat e tij.

“Duke iu referuar precedentit, ai gjithmonë thotë se nëse Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë Kosovën e pavarur, pse Rusia nuk mund ta bëjë Osetinë e Jugut të pavarur dhe të ashtuquajturat shtete të tjera. Ai thotë rregullisht se Rusia është më e mirë se Amerika, por ata po ndjekin të njëjtën rrugë. Ai akuzon Shtetet e Bashkuara për luftëra në vende të tjera dhe bën të njëjtën gjë.Putini e përdor rregullisht Kosovën si “kusur” për interesat e veta dhe të shteteve të tij të reja, nga Osetia e Jugut dhe Abkhazia, deri te republikat në Donbas. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin, i cili shërben për lojërat e tij interesante”, shtoi ai.

Naim Leo Besiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane nga Beogradi, thotë se krahas justifikimit të veprimeve në lidhje me Donbasin me fjalët e tij, presidenti Puti ka shfrytëzuar rastin për të vazhduar luftën hibride me Perëndimin, mbi kurrizin e Ballkanit.

“Putini ka përdorur vazhdimisht shembullin e Kosovës në këtë kontekst dhe vazhdon ta bëjë këtë si pjesë e luftës së tij hibride, të cilën ai po e bën jo vetëm kundër Ukrainës, por kundër gjithë Evropës. Nga njëra anë, u ndërpret gazin vendeve që e kanë paguar ose kanë rënë dakord paraprakisht, dhe nga ana tjetër përpiqet të provokojë në një farë mënyre Perëndimin dhe Bashkimin Evropian, duke destabilizuar disa rajone dhe duke shkaktuar pasiguri në to. E kam fjalën për Serbinë, Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, ku kjo bëhet përmes, Milorad Dodik (lider i Republikës Srbska në Bosnjë dhe njëkohësisht anëtar i presidencës tre palëshe të Bosnjë e Hercegovinës).

Kjo është politika e tij në Ballkan që nga viti 1999: të ruajë vazhdimisht tensionet në vendet e Ballkanit Perëndimor. Putini po përdor kështu Kosovën për t’u marrë me Perëndimin. Mediat ruse dhe ato në Serbi, të cilat në një farë mënyre mbështesin ose janë të lidhur financiarisht me Rusinë, përsërisin fjalët e Vladimir Putinit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe destabilizojnë më tej situatën në favor të Rusisë”, thotë Besiri.

Një moment i papërshtatshëm për Serbinë

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin ka nxituar të qetësojë qendrimet në Serbi me një deklaratë në Tëitter, duke thënë se “Rusia nuk ndryshon qëndrimin e saj” dhe se “nuk do ta njohë Kosovën si të pavarur”, por ishin të kundërta reagimet e atyre me orientim pro-evropian që nuk e miratojnë agresioni rus në Ukrainë dhe zvarritjen e vendosjes së sanksioneve të Serbisë kundër Rusisë.

“Njerëzit që mbështesin Rusinë dhe Putinin, dhe e konsiderojnë atë si mbrojtës të Kosovës brenda Serbisë, papritmas u kthjelluan dhe kuptuan se as Putini dhe as Rusia nuk janë realisht të interesuar për Kosovën apo Serbinë, por vetëm për planet dhe interesat për Rusinë dhe zgjerimin e saj”, komentoi Orhan Dragash, ekspert serb për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe themelues dhe drejtor i Institutit joqeveritar për Sigurinë Ndërkombëtare.
Pavarësisht pyetjes logjike nëse Rusia do të ndryshojë qëndrimin e saj për çështjen e Kosovës në praktikë, dhe jo vetëm me deklarata të tilla verbale, Leo Besiri ende nuk mendon se kjo mund të ndodhë.

Deklaratat e Putinit erdhën në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për Serbinë, e cila po përballet me presionin e Perëndimit për të njohur Kosovën si një kusht për të vijuar rrugën e saj europiane.
Nëse mbështetja e Rusisë për Serbinë dobësohet për çështjen e Kosovës, pyetja është se çfarë do të ndodhte më pas?

“Ashtu si qëndrojnë gjërat, nuk besoj se do të ndryshojë diçka. Nëse presidenti serb venbdios të sulmojë drejtpërdrejt Rusinë, për shembull si nacionalizimi i Industrisë së Naftës së Serbisë që iu shit rusëve, vendos sanksione ndaj Rusisë, dëbon diplomatët rusë dhe një pjesë të mirë të spiunëve, mbyll qendrën humanitare në Nish, atëherë ndoshta mund të pritej një reagim më drastik nga Moska”, tha Besiri.
Megjithatë, ai është shprehur se një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë.
“Për momentin më duket se Vuçiç është i vetëdijshëm për të gjitha mesazhet që vijnë nga Moska, se ato nuk janë të drejtuara vetëm kundër të ardhmes euroatlantike të Serbisë, por i dërgojnë mesazh regjimit të Vuçiçit, si dhe atyre që do të sulmojnë drejtpërdrejt Rusinë. Rrezikohet seriozisht siguria e tyre. Është e qartë se Rusia në këtë moment është e vetmuar dhe e ‘shpërndarë’, por historia ka treguar se ajo është hakmarrëse, për çka Vuçiç është i vetëdijshëm”, shtoi ai.

Përktheu: BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: