Shqipëria goditet rëndë në “Elbasan Arena” duke u thyer 0-3 kundër Izraelit. Një ndeshje që nisi bukur për kombëtaren tonë e cila në harkun e 8-të minutave rrezikoi dy herë me protagonistë Memushajn dhe Llullakun. Rastet tona nuk vlejnë dhe Izraeli në herën e parë që shfaqet në zonën tonë bën “gjëmën”. Gjimshiti nuk ndërhyn siç duhet duke shkaktuar 11-metërsh në minutën e 16-të. Një ndëshkim i dyfishtë pasi lojtari përjashtohet nga loja me ndërhyrjen e bërë. Zahavi merr përsipër ekzekutimin dhe nuk fal. Minuta e 17-të Izraeli kalon për herë të parë në avantazh. Shqipëria fut ujë nga të gjithë drejtimet dhe duket shumë e çoroditur në fushën e lojës. Miqtë krijojnë aksione të njëpasnjëshme duke rrezikuar ndjeshëm portën e Berishës. Pak frymëmarrje pasi një goditje dënimi në minutën e 33-të që niset nga Memushaj përfundon në kokën e Rroshit, i cili me pak fat mund ta kishte dërguar në rrjetë. Shkunden Izraelitët të cilët reagojnë shpejt duke krijuar një seri aksionesh por hasin vështirësi për të mposhtur portierin tonë. Pjesa e parë në pesë minutat e fundit ishte disi pozitive pasi kombëtarja jonë mori disa inkursione por pa ndryshuar rezultatin. Dy minutat shtesë nuk sjellin asgjë dhe arbitri sinjalizon përfundimin e 45-së minutshit të parë.
Me rikthimin në fushë “kuqezinjtë” japin sinjale shprese. Në minutën e 50-të Shqipëria më një inkursion të bukur me anë të Memushajt që jep një top të bukur në zonë por Llullaku përsëri nuk shënon. Rasti na kthehet në bumerang pasi një top nga mesi i fushës do ta nxirrte Zahavin në një pozicion të bukur për të goditur por Kukeli ndërhyn sërish në mënyrë të gabuar. 11-metërshi i dytë dhe Berisha nuk përmbahet duke goditur kapitenin e Izraelit me kokë. Shqipëria mbetet ne fushë me 9 lojtarë, gjyqtari nuk fal. Në portë futet Alban Hoxha i cili bën mrekullinë duke frikësuar Zahavin i cili nuk shënon dot penalltinë e dytë. Gjithsesi nuk zgjat shumë pasi në minutën 67-të Einbeinder përfiton nga një largim jo i duhur duke kaluar skuadrën e tij në epërsi të dyfishtë. De Biazi vendos të ndërhyj dhe çuditshëm aktivizon dy sulmues në fushë pasi ishin larguar Gjimshiti dhe Hysaj. Zëvendësimet nuk vlejnë dhe goli i tretë nuk shmanget. Një kundërsulm i shpejtë dhe Atar nuk fal, stampon shifrat në 0-3. Një humbje e hidhur dhe lojtarë që largohen me kokën ulur nga stadiumi.

(e.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb