Drejtuesit politikë të Partisë Demokratike janë në përfundim të analizës mbi arsyet të cilat çuan në humbjen e garës së 25 prillit. Sipas burimeve për gazetarin e News24 dhe “BalkanWeb” Osman Stafa, ata kanë dalë në përfundimin se makineria e Partisë Socialiste, përdori për shit-blerje të votës, para, legalizime, premtime, asfalt elektoral.

Po sipas këtyre burimeve, drejtuesit politikë kanë vërejtur se në shumë zona fondi për rindërtimin u keqpërdor, duke kthyer një përgjegjësi të shtetit, siç ishte ndërtimi i shtëpive të dëmtuara, në një premtim elektoral. Përdorimi i administratës shtetërore dhe punonjësve të Bashkisë së Tiranës, haptazi në zgjedhje, ishte një tjetër faktor që sipas tyre, ndikoi në zgjedhjet e 25 prillit.

Edhe sistemi i patronazhistëve, sipas analizës, ka ndikuar tek qytetaret, të cilët duke menduar se ishin të vrojtuar, kanë votuar partine në pushtet, për të mos humbur vendet e punës.

Në analizat për qarkun e Tiranës, thuhet se në njësinë numër 10, ku u aplikua votimi dhe numërimi elektronik, votuesve iu tha se vota e tyre do të lexohej, dhe partitë do e mësonin se për cilën parti ka votuar x votues.

Sa i përket aleatëve, në disa prej analizave që janë bërë, thuhet se atyre iu dha shumë besim, të cilin nuk e përkthyen në vota për koalicionin opozitar. Gjithashtu theksohet se mes kandidatëve të Partisë Demokratike dhe kandidatëve të ardhur nga aleatët, nuk ka pasur koordinim, edhe pse nga lista e PD, ka pasur përpjekje.
Dalja me vonesë në terren e drejtuesve politikë, e po ashtu edhe e kandidatëve për deputet, ka ndikuar negativisht në procesin zgjedhur.

Një tjetër element i identifikuar në analizë, lidhet me moshën e lartë të kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës, çka ka bërë që në terren të mungojë energjia e të rinjve.
Për disa qarqe si Shkodra, Korça, Elbasani dhe Gjirokastra, demokratët kanë konkluduar se shit-blerja e votës, kërcënimet dhe presionet për vendet e punës kanë qenë elementi më i përhapur dhe problematik.

Burimet i thanë News24, se në Shkodër, Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, u kanë premtuar bandave kriminale, se do i linin të qetë të kultivonin kanabis, nëse ata do të ndihmonin PS-në, të fitonte zgjedhjet, dhe kjo për zonat e Dukagjinit dhe Vaut të Dejës.

Në Elbasan PS përdori bandat kriminale, ndërsa policia nuk bëri atë që duhet, gjë e cila ndikoi në frikësimin e qytetarëve. Në Gjirokastër ndikoi për humbjen mosqenia në një listë me LSI, dhe sipas burimeve kjo ishte një mbivlerësim i kësaj partie. Po ashtu kandidimi i Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri që në këtë qark të zbarkonin elementë të shtuar të policisë së shtetit dhe elementë kriminal, të cilët ushtronin presion mbi votuesit. Edhe në këtë qark, sipas analizës, ka pasur premtime ndaj grupeve të caktuara se do i linin të qentë të kultivonin kanabis, nëse do jepnin kontribut në fitoren e PS.

Analiza e thelluar për secilin qark, do të dorëzohet në selinë blu, dhe me pas, në datën 10 korrik, është menduar zhvillimi i mbledhjes së kryesisë së PD, ku do të jenë në fokus dhe do të analizohen këto dosje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: