Prej gushtit të vitit të kaluar, pjesëtarët e grupit mercenar famëkeq Wagner, janë të angazhuar për të çrrënjosur mbrojtjen e hekurt në Bahmut, qytet i vogël në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck.

Luftimet janë vështirësuar në muajt e fundit, pas kundërofensivës së Ukrainës në veri, në rajonin e Harkivit, në jugperëndim, rreth Hersonit, dhe në perëndim, te lumi Dnjepër.

Mirëpo situata është ashpërsuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe tani forcat ruse kanë rrethuar Bahmutin në tri anë, duke e lënë vetëm një rrugë ende të qasshme për forcat ukrainase.

Është çështje ditësh kur qyteti mund të jetë tërësisht në duart e forcave ruse.

Çka nënkupton kjo?

Për ekspertët ushtarakë dhe vëzhguesit e luftës, rëndësia simbolike e Bahmutit e tejkalon rëndësinë e saj strategjike.

Të ngujuar në lumin Bahmutja, vetëm 20 kilometra në perëndim të kufirit administrativ në Luhansk, Bahmuti, që para luftës i ka pasur rreth 70.000 banorë, ka qenë i njohur kryesisht për verërat e gazuara dhe minierat e kripës.

Qyteti gjendet në një territor të rrafshët dhe kryqëzohet me disa rrugë kryesore.

Pozita e tij gjeografike e bën qytetin më të cenueshëm ndaj sulmeve me raketa, derisa kryqëzimet ua mundësojnë trupave që të bartin pajisje dhe të formojnë pozicione.

Tani që ofensiva e zgjatur ruse është në javën e shtatë apo të tetë, Bahmuti mund të jetë shumë shpejt në duart e forcave ruse.

“E kam një parandjenjë që mund ta mbajmë atë”, ka thënë Yuriy Syrotyuk, ushtar i Brigadës së pestë sulmuese të Ukrainës, në një bisedë me Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

“Është shumë e vështirë. Po, është e vështirë të përballesh vazhdimisht me sulmet e armiqve. Tani hyrja në qytet është e vështirë… mirëpo ndërkohë po vijnë edhe përforcime, municione dhe personat e plagosur po largohen”.

Pala ukrainase ka dhënë shenja se mbrojtja për Bahmutin do të vazhdojë.

Komandanti i lartë ukrainas, gjenerali Valeriy Zaluzhniy dhe komandantë tjerë, “kanë folur në të mirë të vazhdimit të operacionit të mbrojtjes dhe të forcimit të mëtejmë të pozicioneve në Bahmut”, ka thënë zyra e presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky më 6 mars.

Në adresimin e tij para popullit, të njëjtën ditë, Zelensky ka dhënë më shumë hollësi.

“Komanda e ka përkrahur në mënyrë anonime”, vendimin për t’u mos tërhequr, ka thënë ai.

“Nuk ekzistojnë qëndrime tjera. I kam thënë komandantit të përgjithshëm që të gjejë forcat e nevojshme për t’iu ndihmuar djemve tanë në Bahmut”.

Zyrtarët perëndimorë kanë qenë më të matur në deklarime.

“Nëse ukrainasit vendosin të ripozicionohen në disa terrene në perëndim të Bahmutit, nuk e shoh ketë si pengë operacionale apo strategjike”, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin më 6 mars.

“Mendoj se Bahmuti – pa dashur të lë anash punën e madhe që kanë bërë ushtarët ukrainas në mbrojtjen e Bahmutit – përbën më shumë vlerë simbolike, sesa vlerë strategjike apo operacionale”.

“Prandaj, rënia e Bahmutit nuk nënkupton domosdo që rusët e kanë ndryshuar rrjedhën e luftës”, u ka thënë ai gazetarëve.

“Mund të vështirësohet, por jo të bllokohet kapaciteti i Ukrainës për ta mbrojtur qytetin”, ka thënë Mick Ryan, ish-gjeneral i ushtrisë australiane dhe analist i doktrinës ushtarake ruse, në një kolumnë.

“Për shkak të burimeve masive njerëzore dhe atyre materiale të rusëve, situata mund të imponojë shumë shpejt një tërheqje të ukrainasve”.

Nëse ekziston ndonjë logjikë për mbajtjen e Bahmutit, atëherë ajo përshkruhet si taktikë e përsëritur që ka funksionuar në ofensivën e Harkivit, në shkaktimin e dëmeve të mëdha ndaj forcave ruse, dhe dobësimin e tyre teksa përgatiten për ofensivë në pranverë apo verë.

Përparimi në rritje i Rusisë, duke e rrethuar gradualisht qytetin nga veriu, lindja dhe perëndimi, sipas disa analistëve u ka kushtuar shumë forcave ruse: në muajt paraprakë ka pasur vlerësime se për secilin ukrainas të vrarë apo të plagosur, janë vrarë apo plagosur gjashtë deri në shtatë rusë.

Shpëtimi i jetëve pranë Bahmutit

Një zyrtar i paidentifikuar i NATO-s e ka përkrahur këtë vlerësim, në disa komente dhënë për transmetuesin amerikan, CNN.

“Në parim, taktikat e armikut vazhdojnë të jenë të pandryshuara”, ka thënë Taras Berezovets, zëdhënës për brigadën e parë speciale ukrainase, në disa komente për Current Time.

“Ata janë si valë të mishit të gjallë që sulmojnë pozicionet e mbrojtësve ukrainas”.

Ekspertët tani besojnë se krahasimi i vdekjeve mes ushtrisë ukrainase dhe asaj ruse tani ka arritur në 1:1.

“Rëndësia e madhe strategjike e Bahmutit, natyrisht, qëndron edhe në faktin se këto zhvillime do të kenë ndikim të madh në fushatën ushtarake të vitit 2023”, ka thënë Mykola Byelyeskov, analist i Institutit Kombëtar për Studime Strategjike, në disa mesazhe për Radion Evropa e Lirë.

“Është goxha e vështirë të themi se kush është tani për tani më i suksesshëm”.

Instituti për Studime të Luftës e ka përkrahur këtë vlerësim.

“Ushtria ruse ka shumë mundësi që të vazhdojë operacionet luftarake për t’i ruajtur pozicionet, duke i dhënë hapësirë Ukrainës që ta kapë momentin”, ka thënë ky Institut në vlerësimin e tij ditor.

Mirëpo lufta e Ukrainës për Bahmutin është bërë e rëndësishme edhe për shkak të mënyrës si janë pozicionuar forcat ruse në atë rajon.

“Mendoj se mbrojtja e madhe e Bahmutit ka pasur frytet e veta, duke i shfrytëzuar në masë të madhe municionet dhe burimet njerëzore të rusëve”, ka thënë Michael Kofman, analist i mbrojtjes në Qendrën për Analiza Detare, pas një vizite që ka realizuar së fundi në Bahmut.

“Por strategjitë mund të rezultojnë me bumerang, sepse fakti që Ukraina po tenton të sigurojë burime në këtë ofensivë, mund të ndikojë në suksesin e ndonjë operacioni më të madh në të ardhmen”.

“Gjithçka nën rrënoja”

Për rusët, fitoja në Bahmut do t’i gëzonte për pak, pas një serie të fitoreve ukrainasve, që kanë vënë në pah problemet sistematike në ushtrinë ruse.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më 7 mars se kapja e Bahmutit do të ishte hap kyç për nisjen e një ofensive më të gjerë në rajonin e Donjeckut.

Në anën ruse, humbjet më të mëdha në njerëz i kanë vuajtur pjesëtarët e Wagnerit, pjesa më e madhe e të cilëve në të kaluarën kanë qenë të burgosur.

Zyrtarët ukrainas ka thënë që më shumë se 50.000 të burgosur kanë shprehur gatishmëri për t’iu bashkuar Wagnerit dhe pjesa më e madhe e tyre janë dërguar në frontin në Bahmut

“Kjo është mundësia e tyre e fundit” për ta fituar kontrollin e Bahmutit, ka thënë koloneli, Serhiy Cherevatiy, zëdhënës për forcat ukrainase në lindje, në disa përgjigje për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

“Ata janë duke tentuar të sigurojnë të paktën një copëz të fitores”.

Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, ka pretenduar të paktën dy herë se trupat e tij e kanë fituar kontrollin e Bahmutit, dhe ai publikisht ka thënë se dobësimi i forcave ukrainase përbën objektin e radhës.

Prigozhin, ndikimi politik i të cilit është rritur prej kur ka nisur lufta, e ka shfrytëzuar situatën në Bahmut për të kritikuar Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Zyrtarë ukrainas dhe ata perëndimorë kanë thënë se përbërja e trupave ushtarake të Wagnerit në Bahmut ka ndryshuar, pasi më shumë burra të trajnuar janë bashkuar në fushëbetejë.

“Realiteti është që nëse rusët e fitojnë Bahmutin, ata do të fitojnë rrënoja”, ka shkruar Ryan.

“Është qytezë me rëndësi strategjike minimale, e cila ka mbetur me gati aspak infrastrukturë. Fakti që Rusia ka investuar aq shumë për ta kontrolluar, flet për strategjinë e saj të dobët në luftë”./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: