A ka zgjedhje pa favorit zgjedhor?

Kjo pyetje është gjithnjë e më e zëshme në veri të Kosovës, pasi Lista Serbe- partia kryesore e serbëve të Kosovës – ka thënë sërish se do ta bojkotojë procesin zgjedhor.

Për Dushan Radakoviqin nga Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike në Mitrovicë të Veriut dhe Violeta Haxhollin nga Instituti Demokratik i Kosovës, dilema nuk ka. Zgjedhjet e planifikuara për 23 prill, sipas tyre, janë ende në pikëpyetje.

Në ditën kur afati për aplikim dhe konfirmim të subjekteve politike dhe të kandidatëve skadon, ata bëjnë thirrje për një marrëveshje urgjente politike.Lista Serbe nuk ndryshon qëndrim për pjesëmarrje në zgjedhje, as pas Ohrit

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.
Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë shpallur fillimisht për 18 dhjetor 2022, por, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, janë shtyrë vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së tyre.

Lista Serbe, edhe atëherë, ka refuzuar pjesëmarrjen, edhe pse Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimin për riregjistrimine makinave, në bazë të një marrëveshjeje me Serbinë.

A ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve?

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me pyetjen nëse ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në veri dhe a ka mundësi që të shtyhen sërish ato, nëse nuk ka kandidatë nga komuniteti serb, por nuk mori përgjigje.

Megjithatë, në mes të marsit, KQZ-ja ka njoftuar se subjektet politike dhe kandidatët e konfirmuar në nëntor për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit, 2022, e kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen dhe se nuk kanë nevojë të aplikojnë më.

Asokohe kanë qenë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy kanë qenë të komunitetit serb.

Dushan Radakoviç thotë se pa ndonjë marrëveshje të shpejtë politike, është mjaft e sigurt që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të shtyhen “me shumë gjasa për në qershor”.

Ai argumenton se serbët janë larguar edhe nga komisionet komunale zgjedhore dhe se, thjesht, nuk ka kush ta organizojë të gjithë procesin.

Një problem tjetër, sipas tij, është se pa marrëveshje politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk do të ketë ku t’i hapë vendvotimet.

“Pa ndonjë marrëveshje serioze politike dhe pjesëmarrjen e kandidatëve serbë, kam frikë se nuk do të ketë proces zgjedhor”, thotë Radakoviq për Radion Evropa e Lirë.
Deri më tash, praktikë ka qenë që vendvotimet të hapen në institucionet arsimore, por ato në zonat serbe funksionojnë në sistemin serb, kështu që ka mundësi që drejtorët të mos lejojnë që të shfrytëzohen objektet e tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, ka thënë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.

“Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiç.

Dy ditë pas kësaj deklarate të presidentit serb, Lista Serbe ka përsëritur qëndrimin e saj të mëparshëm se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, derisa të plotësohen kërkesat e saj, që janë: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Çështja e formimit të Asociacionit duhet të zgjidhet me Marrëveshjen drejt normalizimit, të mbështetur nga BE-ja, të cilën e kanë pranuar edhe Kosova, edhe Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 21 mars se “do të duhet të merremi me atë formulim sa i përket vetëmenaxhimit për komunitetin serb”.

Vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen drejt normalizimit, por ende nuk dihet se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

Për Asociacionin, ndërkaq, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013. Ai parasheh që serbët e Kosovës të kenë “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Kurti, në disa raste, ka përsëritur se Kosova nuk mund të lejojë formimin e asociacioneve njëetnike, sepse, sipas tij, të tillat rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Violeta Haxholli shpreh shqetësimin e saj se Lista Serbe sërish nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje dhe shton se autoritetet e Kosovës “duhet urgjentisht të krijojnë komunikim me të”.

Ajo vlerëson se Lista Serbe “po i bojkoton zgjedhjet për arsye politike” dhe se, në këtë kontekst, e vetmja zgjidhje është marrëveshja politike.

“Pa pjesëmarrjen e saj [Listës Serbe], zgjedhjet nuk kanë asnjë kuptim. Lista Serbe ka fituar shumicën e votave të komunitetit serb në Kosovë dhe komuniteti serb duhet ta ketë si opsion për ta votuar”, thotë Haxholli.

Lista Serbe ka fituar më shumë se 90 për qind të votave në proceset e mëparshme zgjedhore, por, në vitin 2021, BE-ja ka vlerësuar se kjo parti e ka “monopolizuar” jetën politike të serbëve të Kosovës.

REL-i iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a po bëhen negociata politike për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse ato janë opsion, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb