Një tjetër person, rreth të 50-ve është shtruar pasditën e sotme në spitalin Infektiv ku trajtohen të sëmurë me koronavirus. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Erjon Skëndaj gjatë një lidhje live për ‘News24’. Ai theksoi se në 10 ditët e fundit të qershorit kanë shënuar rekordin e të prekurve nga COVID-19 që prej nisjes së pandemisë.

Referuar të dhënave zyrtare nga data 20 qershor deri në 30 qershor janë diagnostikuar 644 raste të reja me virusin sars cov 2, baraz kjo sa 1 e 4 e të gjitha rasteve të zbuluara në 110 ditët e pandemisë, 2535 raste në total. Për të njëjtën periudhë MSH raporton në buletinet e saj një numër rekord vdekjesh nga COVID-19, 20 jetë të humbura në 10 baraz sa një e treta e viktimave të virusit.

Por kur vjen puna tek të shtruarit në spitalin e vetëm Covid, klinikën Infektive në QSUT shtrimet në 10 ditët e fundit janë minimale në raport me rastet e zbuluara, format e rënda dhe vdekjet që raporton vetë ministria e Shëndetësisë. Kështu në datën 20 qershor në Infektiv ndodheshin të shtruar 63 pacientë, 7 në terapi 2 në intubim. Ndërkohë në 10 ditët e fundit të qershorit, spitali numëron vetëm 16 shtrime më shumë, 79 në total, prej të cilëve 7 pacientë në terapi dhe 3 të intubuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb