Këshilltari për media në Partinë Demokratike, Edi Lesi, ka polemizuar me analistin Mustafa Nano mbi politikat e qeverisë Rama. Ai ndalet tek situata me krimin dhe trafikun e drogës në vend.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit, Lesi thotë se deri më tani nuk ka asnjë datë konkrete për hapjen e negociatave.

NGA EDI LESI

Një himn për jetën e tretë të Edi Ramës, ishte sot një nga indulgjencat më të mëdha që Mustafa Nano ka dekretuar, duke na ftuar të shqetësohemi se çfarë do të ndodhë me hobet, pasionet, rravgimet e kuturisjet e artistit, kur ai të heqë dorë nga politika, e mos ta vrasim aspak mendjen se çfarë ndodh sot me vendin tonë halleshumë.

Por me një kusht.

Sipas tij, jeta e tretë e Ramës nis vetëm pasi ta ketë çuar deri në fund këtë mandat.

Mos t’i fusim zallave kresë, as të kemi dert për krimin në majë të politikës, për paratë e drogës që janë aq shumë sa teprojnë të kapen disa çanta dëng me euro edhe në një postbllok të lodhur me një polic të keqpaguar, që i fut pelerina shi e s’ka marrë orët shtesë; për mijëra faqe ku është vizatuar nga drejtësia italiane se cilin shtet kishim 4 vite ku dinjitari, zyrtari i lartë, shefi i komisariatit, ministri i Brendshëm janë bashkë me bandën e trafikantët; letra serioze të antimafies jo si ato që bën shuk Rama dhe i hedh drejt koshit në zyrë pa lëvizur nga karrigia.

Mos të kemi asnjë merak për mijëra që duan të ikin çdo muaj nga Shqipëria, e për këdo që ti takon në rrugë dhe të thotë s’rrihet më këtu, për 40 për qind të popullsisë që nuk siguron dot ngrohje në dimër, apo më keq, për 1/3-n e qytetarëve të vendit që nuk ia del për ushqimet bazë.

Asnjë thinjë të mos na dalë për integrimin që është bllokuar, e s’ka një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Mos ta prishë kush gjumin për theqafjen e Shqipërisë, honin e madh ku po biem, ku s’ka një investim të huaj, ku trishtimi e mungesa e shpresës kanë pllakosur rëndshëm.

Mustafa Nano na fton t’i lëmë këto vogëlsira, e ta zëmë kohën me ide se ç’mund të bëjë Rama me jetën e tretë. Edhe pse është rrekur të përshkruajë një sfond të ditës, ai e vesh me një tis aq romantik, sa ngjan të thuhet se Rama ishte rastësisht këtu, dhe duhet ndihmuar ta kalojë sa më lehtë këtë pellg të madh droge e krimi, që të marrë për në të tretën jetë pra, sa më pak bagazhe të rënda.

Po ama me një kusht: Ta çojë deri në fund jetën e dytë, mandatin e dytë. Edhe pse, mandati i dytë sipas çdokujt, por dhe i dokumentuar nga OSBE-ja, ka nisur në mëkat e paligjshmëri, pasi si asnjëherë tjetër organizata e zgjedhjeve deklaron se shitblerja e votës më 25 qershor është një shqetësim i madh, një problem që duhet zgjidhur një herë e mirë.

A është shoqëria gati të bashkohet me këtë indulgjencë ku Edi Rama, jo vetëm të mos mbajë asnjë përgjegjësi për çka gatoi në këto 4 vite, por të lihet i qetë ta çojë deri në fund projektin e tij, të mos kërkojë kush llogari, se ai e di vetë.

Dhe indulgjenca të shkojë deri atje, sa të na trazojë shpirtin, ç’do bëjë ai me jetën e tretë, se si do buthtojnë tepricat e inteligjencës së këtij kryeministri, për t’ia dalë të ketë sukses edhe në atë stacion me ato skicat e krijimet e tij.

Jeta e tretë është një hile, një kurth. Në fakt, disa njerëz, kanë merak që herët të bëjnë një vend në pavdekësi. Shumë gjëra i bëjnë madje me këtë qëllim. Ajo është efemere, kalon nga e treta, por është synimi final. Milan Kundera e ka bërë një libër për këtë ambicie të çartur. Po ky është një trill i burrave e grave që nganjëherë vënë bast jetën e tyre e çojnë dëm shumë gjëra personale, po jo një popull e një vend.

Për jetën e tretë ose më tej, pavdekësinë, Mustafa Nano nuk është shfaqur këtë herë këshilltar i mirë. Edi Rama i ka shanset të shkojë atje, përmes një shtegu tjetër, i kundërt me atë që sugjeron analisti. I ngushtë, i errët, si qelë mund të ngjajë, po atje mundet të sosë vetëm nëse vendos të mbajë përgjegjësi, të reflektojë, të rrëfejë e pendohet, të pranojë se e shkatërroi vendin me krim e drogë, se copëtoi ekonominë, se varfëroi njerëzit, se ndali integrimin, se krisi shpresën e besimin, se nuk la njerëzit të votojnë të lirë. E të ikë tani. Menjëherë.

Mandati deri në fund, do të thotë zullum deri në fund. Atëherë, s’do të ketë më vend për trenin transhendet të Mustafa Nanos.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb