Nga Agron Gjekmarkaj

Barbaria e akuzave të ndërsjella dhe urrejtja qytetare!
Nuk ka një vend të dytë në Europë që ta ketë zhvleftësuar fjalën politikë aq sa vendi ynë. Dendësia e akuzave ka një frekuencë të pakapshme nga çdo lloj sizmometri.

Ashpërsia e tyre është e pakonkurrueshme. Aktorët janë gjithmonë të njëjtët. Çdo risi bëhet e vjetër. Çdo i ri konformohet. Secila prej betejave duket e gabuar. Çdokush ndihet gjykatës dhe verdikti nuk arrin kurrë. Ai rri pezull në ajër si zemërim i cili rrallë herë përdoret mirë.

Vërtetësia e pëson gjithmonë. Gjuha si vërshim ujërash të zeza i bën të gjithë pis. Në të njëjtën kohë shërben si strategji relativizimi që asgjë të mos merret seriozisht.

Gjithesa ndodh e largon qytetarin nga politika. Bëmat i heqin atij respektin dhe besimin ndaj e në të. Ato i bëjnë ta shohin shtetin si armik, si strehë shushunjash, politikanin si pufte!

Në bazë të interesit personal gjykohet tjetri. Nga frëngjia e tij thërritet për ndihmë, për betejë, për kauzë. Nëse e pranon thirrjen je mik, je shok, je vlerë, nëse jo je i përdorur, i shantazhuar, i kapur prej dikujt dhe për diçka. Kur nuk rreshtohesh si ushtar je më i zi se djalli, kërmë për urinë e një turme të manipuluar.

Çdo njeri bën si lojtar duke e menduar tjetrin më pak të mençur ose leshko që mund t’ia hedhesh orë e çast.
Insinuata mbretëron si zogu në qiell.

Flitet për parime, për etikë, për moral kur e gjitha është një tautologji në shërbim të vetes. Kështu thanë për ty e ndien çdo ditë si gjysmë e vërtetë ose dëshirë për të përdorur ndaj tjetrit. Hilja, inati, shfrimi janë karburanti i motorëve të urrejtjes. Po njerëzit, qytetaret ku janë këtu? Askund! Ata duhen për gjyle në topat të cilët qëllojnë pa pushim mbi murin pengesë për ambicien. Si përgjigjen ata? Shumë ikin larg pa kthim. Mjaft sish bëhen indiferent. Disa shtojnë përbuzjen.

Një pjesë radikalizohet, rreshtohet do të mbajë çka me çdo mjet, të tjerë të rimarrin ç’patën. Pështyma e tyre bie mbi atë që ecin rrugës përmes indiferentë duke respektuar veten e tyre. Vendi herë pas herë kërcënohet me të dridhura për të mbrojtur vlerat e tij më të mira apo për të mposhtur të keqen hajde gjeje.
Në gërxhe dëgjohet jehona “në ato maja rripa-rripa, herë ma hipe e herë ta hipa”!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: