Nga: Simeon KERR

I bojkotuar nga disa prej fqinjëve të tij, shteti i Gjirit po shpenzon 200 miliardë dollarë për infrastrukturën dhe hapjen e rrugëve të reja tregtare. Por a është kjo diçka e qëndrueshme?

Në veri të kryeqytetit të Katarit, qyteti i ri i Lusail është një labirint me rrugë të zbrazëta dhe kulla gjysmë të përfunduara. Dhjetëra vinça ngrihen në vendet e ndërtimit. Shenjat tregojnë drejtimin për në ndërtesën e vetme qeveritare që vepron në atë zonë, Ministrinë e Ekonomisë.
Pamja e rastësishme e larjes dhe tharjes në ndonjë ballkon është dëshmia e vetme e jetës së përditshme në këtë qytet ujor pranë Dohas, i cili planifikohet të strehojë 200,000 njerëz. Më 2022, stadiumi Lusail me 80.000 vende, i projektuar nga Foster+Partners dhe që është ende në ndërtim e sipër, do të presë finalen e Kupës së Botës të futbollit.

Progresi i shpejtë i qytetit nga një shkretëtirë me pluhur në qendër globale ashtu si dhe pjesa tjetër e Katarit, përballet me kërcënimin më të rëndë të jashtëm në historinë e tij prej katër dekadash, bllokada tregtare dhe e lëvizjes e imponuar Qershorin e kaluar nga katër shtete arabe – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti – në bazë të dyshimeve se gadishulli (Katari) mbështet terrorizmin.

Përçarja i ka kthyer aleatët e fortë të SHBA kundër njëri-tjetrit, duke minuar përpjekjet e Uashingtonit për të ndërtuar një front të bashkuar përballë terrorizmit islamik dhe Iranit. SHBA, që ka selinë e saj ushtarake rajonale në Katar, është gjithnjë e më aktive për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi, por pak besojnë se një zhvillim i menjëhershëm mund të vijë së afërmi me Rijadin dhe Abu Dhabin që vazhdojnë izolimin e Dohas.

Katari, shteti më i pasur në botë për frymë, po e kompenson ndikimin ekonomik të bllokadës duke çarë përpara me programin e tij të zhvillimit në infrastrukturë me 200 miliardë dollarë, duke ndërtuar rrugë dhe hekurudha. Qeveria gjithashtu ridrejtoi 50 miliardë dollarë nga fondi i pasurisë dhe rezervave sovrane për të mbrojtur sektorin bankar dhe kursin e këmbimit.

“Katari ia ka dalë të përshtatet, me një sërë masash të marra për të kompensuar kërcënimin tregtar dhe financar”, thotë Jihad Azour, drejtori rajonal për FMN. “Por kjo nuk është një situatë optimale. Çdo ndryshim tregtar midis vendeve fqinje ndikon në ndjesitë e investimeve”.

Bllokada, e imponuar Qershorin e kaluar, hoqi linjat kryesore të furnizimit për Katarin – kufirin tokësor me Arabinë Saudite dhe rrugët e transportit detar me Dubain – si dhe hoqi rrugët ajrore që përbënin një të pestën fluturimeve të Qatar Airways, e cila ka kërcënuar të padisë për dëmet. Të gjithë katarianët u dëbuan nga katërshja e shteteve të bllokadës, që çoi në ndarjen e familjeve të lidhura prej brezash së bashku me anë të martesës.

Llogaritet që ekonomia të ketë rritje më të ulët dhe kosto më të larta importi, çka detyron qeverinë të riatdhesojë miliarda nga jashtë nga portofoli i saj prej 340 miliardë dollarësh, për të mbështetur sistemin financiar të brendshëm. Fondi Sovran ka reduktuar disa nga aksionet e tij jashtë, siç është kompania Tiffany & Co dhe Credit Suisse, për ti kthyer në kash për masat e brendshme emergjente. Muajin e kaluar, vendi lëshoi me sukses një obligacion prej 12 miliardë dollarësh.

Kriza u shkaktua kur Rijadi dhe Abu Dhabi, kujdestarë të vetëquajtur të stabilitetit rajonal, u zemëruan nga mbështetja e “Katarit të vogël” për lëvizjet popullore islamike që u rritën me trazirat e Pranverës Arabe, dhe për organizatat më të sofostikuara siç është Vëllazëria Myslimane, e cila qeverisi shkurtimisht Egjiptin, dhe grupin Palestinez Hamas. Ata (Rijadi dhe Abu Dhabi) kishin frikë se këto grupe mund të përmbysnin monarkitë konservatore të Gjirit. Mbulimi televiziv që Al Jazeera katariane i bëri status quo-së së kërcënimit (ndaj monarkive konservatore) e thelloi atë zemërim.

13 Kërkesat fillestare të katërshes, mes tyre edhe mbyllja e al Jazeeras dhe një baze ushtarake turke në vend, u reduktuan në gjashtë, përfshirë luftën kundër ekstremizmit dhe mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të fqinjëve. Katari i mohon tërësisht këto pretendime, dhe nuk pranon asnjë kufizim ndaj sovranitetit të tij.

Vendimi i administratës Trump javën e kaluar për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit u mbështet me entuziazëm nga rivalët e Dohas në Riad dhe Abu Dhabi. Kjo mund të thellojë pakënaqësinë e Katarit, duke pasur parasysh varësinë e tij në rritje ndaj rrugëve të transportit detar me Iranin, sikurse edhe dy fqinjët e tjerë të Gjirit Omani dhe Kuvajti, të cilët kërkojnë lidhje më të ngushta tregtare me republikën islamike.

Zyrtarët e Katarit thonë se niveli i tregtisë me Iranin është minimal kur krahasohet me vëllimet shumë herë më të mëdha tregtare mes Iranit dhe Dubait, një anëtar kryesor i bllokadës kundër Katarit.
“Emiratet e Bashkuara Arabe dominojnë 90 % të tregtisë ndërmjet [shteteve të] GCC-së dhe Iranit, madje edhe pas bllokadës së Katarit,” thotë Lulwa Al Khater, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Katarit. Statistikat zyrtare tregojnë se importet e Katarit nga Irani janë rritur që nga embargoja, por sërish mbeten më pak sesa importet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Duke i mbijetuar sulmeve fillestare, Dohas i është kthyer mendja të nxitë rritjen e brendshme në mënyrë të mjaftueshme për të mbushur qendrat tregtare dhe kullat që ngrihen përgjatë shtrirjes urbane të kryeqytetit. Defiçiti fiskal i vitit të kaluar prej 1.6 % të PBB parashikohet të shkojë në një sufiçit prej 2.8 % në vitin 2018, për sa kohë çmimet naftës mbesin rreth 80 dollarë për fuçi, sipas hulumtimit të kryer nga MUFG.

Normat e rritjes nga sektori jo-naftë me rreth 4 % këtë vit, janë norma më të mira se ato që gëzojnë fqinjët e Katarit, por në krahasim me veten, ekonomia e brendshme e Katarit është në ulje duke pasur parasysh rritjen e tij prej më shumë se 12 % mesatarisht mes viteve 2000 dhe 2014, në periudhën kur popullsia u rrit nga nën 600,000 në mbi 2,5 milion njerëz.

Edhe pse e kompensuar nga shpenzimet qeveritare, ngadalësimi i ekonomisë pati filluar që para bllokadës, duke u filtruar tek sektorët e shërbimeve, shitjes me pakicë dhe turizmit. “Vetëm 15% e kësaj goditje ekonomike është për shkak të bllokadës”, thotë një konsulent perëndimor. “Pjesa tjetër është një korrigjim që do të vinte gjithsesi”.

Konsorciumi DTZ thotë se statistikat zyrtare tregojnë që numri i vizitorëve në Katar ra në 23 % në 2.3 milion më 2017, duke ulur zënien e hoteleve dhe dhomave mes planeve për një rritje prej 75 përqind të kapacitetit përpara Kupës së Botës. Gadishulli i vogël ka 21 qendra tregtare, me katër të tjera të planifikuara për tu hapur këtë vit.

Shpenzime më të ulëta, më shumë furnizim nga jashtë dhe bllokada kanë vënë gjithashtu nën presion qiratë. Çmimet e pasurive të paluajtshme dhe banesave kanë rënë pothuajse me 20 % nga kulmi i tyre në 2016, sipas statistikave të Bankës Qendrore. Shumë departamente qeveritare dhe konglomerate të sektorit privat po ulin buxhetet dhe kostot e stafit. “Ekziston një fryrje në fakt”, – thotë një bankier katarian. “Por të paktën qeveria është duke investuar”.

Eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror po zgjeron kontratat e tij, me marrëveshje të reja afatgjata për furnizimin e Bangladeshit dhe Vietnamit, si dhe nisjen e partneriteteve me sektorin privat për zonat logjistike dhe projekte të tjera në infrastrukturë. Reformat rregullatore janë gjithashtu në rendin e ditës: Katari po lehtëson kufizimet mbi investimet e huaja dhe shpreson të joshë më shumë turistë duke zbutur regjimin e vizave.

Ministri i Financave Ali Sherif Al Emadi , thotë se ndryshimi i ligjit për të lejuar të huajt të blejnë pasuri të patundshme kudo në Katar dhe propozimi që ata të mund të mbajnë biznese vetëm pa ndonjë ortak lokal, do të ndihmojnë vendin të realizojë vizionin e tij për t’u bërë një destinacion investimi.
Z. Emadi thotë se linjat ajrore të vendit dhe porti i ri “Hamad” do të nxisin rritjen ekonomike. Zyrtarët flasin për në brand të ri si “Global Qatar”, dhe zgjerimin e mundësive të tij përtej partnerëve tregtarë tradicionalë.

“Ne do të jemi një nga vendet më konkurruese të rajonit në investimet e huaja direkte”, thotë Emadi. Katari tërhoqi 774 milionë dollarë investime direkte në 2016, siç tregojnë shifrat më të fundit të OKB-së, duke shkuar në 1 miliard dollarë vitin e kaluar.

Brenda vendit, kombi duket se është bashkuar në përgjigje të bllokadës duke e mbështetur me gjithë zemër Emirin, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Imazhet e sundimtarit zbukurojnë pothuajse çdo ndërtesë. Për katarianët, lideri 37 vjeçar është bërë një hero popullor. Shumë rezidentë në vend gjithashtu mbajnë fotot e tij, duke inkurajuar Katarin që të “mposhtë bllokadën”, edhe pse ndonjë rezident veteran (me origjinë nga vendet e bllokadës) nuk e do natyrën “orwelliane” të diskursit kombëtar.

“Bllokada ka unifikuar gjithë vendin: qytetarë, rezidentë, studentë”, thotë Haya Alwaleed Al Thani, një studente në kampusin e Universitetit Georgetown në Doha. “Edhe nëse situata zgjidhet, ne nuk do t’i vizitojmë më këto shtete për vite, pasi ne nuk u besojmë më atyre. Si mund të kthehemi prapë mbrapsht?”.

Katari ka qenë në një situatë të tillë edhe më parë. Në vitin 2014 Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini tërhoqën ambasadorët e tyre për të njëjtat pretendime të mbështetjes së islamizmit. Pavarësisht marrëveshjes së kompromisit atë vit, zyrtarët katarianë ngritën rezerva ushqimi strategjike në pritje të një dite kur fqinjët e tyre do të përdornin sanksione për ta kthyer gadishullin (Katarin) në një ishull. Kur bllokada (aktuale) filloi, paniku i blerjeve i zbrazi raftet e supermarketeve. Por brenda disa orësh raftet u mbushën sërish.

Nëpërmjet Portit “Hamad”, i cili hyri në funksion të plotë që prej Dhjetorit 2016, Katari ka rikonstruktuar linjat e furnizimit, duke krijuar 10 rrugë të drejtpërdrejta me jashtë, duke filluar nga Omani dhe Turqia e deri në Indi dhe Kinë.

Në nivel kombëtar, inflacioni i ushqimit dhe i transportit u ndikua në prag të bllokadës, edhe pse furnizimet e reja tregojnë se tani zinxhirët po lehtësohen.

Fokusi në “sigurinë ekonomike” ka ringjallur konceptin e dalë mode të “zëvendësimit të importit”, duke i zëvendësuar importet me mallra të prodhuara në vend. Dyqanet ushqimore, të pajisura dikur me perime dhe prodhime bulmeti saudite, tani janë të mbushura me qumësht dhe kos nga lopët lokale, si dhe fruta iraniane dhe perime nga Bangladeshi. Katarianët po mbarështojnë bagëti dhe po rritin perimet e tyre për shitje në tregjet e qytetit.

Në një kthesë moderne mbi vetë-mjaftueshmërinë, një institucion financiar vendas po përgatit fondin e parë të kapitalit privat për Katarin, duke investuar në ndërmarrje lokale, si prodhimi farmaceutik bazë.

“Mund ta eleminojmë këtë kërcënim”, thotë Sheik Mohamed Al Thani, ish-Ministër i Tregtisë dhe Ekonomisë. “Ne e dimë që po fitojmë dhe që ata po humbasin”.

Megjithatë, zyrtarët Sauditë dhe Emiratas, besojnë se mund ta mbajnë gjallë lehtësisht bllokadën. “Pasojat e një zgjatjeje afatgjatë janë asimetrike: Katërshja nuk vuan aq sa Katari”, thotë Mohammed Alyahya, një anëtar jo-rezident në Këshillin Atlantik think-tank.

Presioni për kompromis do të rritet, veçanërisht kur Botërori “Qatar 2022” të afrohet. Por tani për tani gjuha e luftës kundër Dohas reflekton shanse të zbehta për një zgjidhje të krizës. Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed bin Selman, Marsin e kaluar e nënvlerësoi konfliktin duke e cilësuar si “të parëndësishëm”. Abu Dhabi, kundërshtari më i ashpër i Dohas, është i kënaqur me bllokadën duke argumentuar se e ka detyruar Katarin të përqendrohet në ekonominë e tij dhe të ndalojë ndërhyrjet në zonat e konfliktit në Libi dhe Siri.

Presidenti i SHBA Donald Trump, dikur kundër Katarit, tani është i bindur për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje, thonë zyrtarët. Sekretari i sapo-emëruar i Shtetit, Mike Pompeo, vizitoi Riadin në Prill për të nxitur, më kot, një marrëveshje kompromisi.

“Ne jemi të gatshëm ti trajtojmë shqetësimet, por gjithashtu kërkojmë që edhe fqinjët tanë të marrin në konsideratë shqetësimet tona”, thotë znj. Al Khater (zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Katarit). “Fakti që ata brenda natës mund të na bllokojnë, të dëbojnë qytetarët tanë… Ata duhet të respektojnë sovranitetin e Katarit”.

Katarianët këmbëngulin se partneritetet e tyre të reja do të forcohen edhe më tej, pasi nuk kanë dëshirë ti kthehen mbështetjes së mëparshme tek partnerët e vjetër të Gjirit. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është më e drejtë për ekonominë tonë”, thotë z. Emadi. “Ne gjithmonë themi se jemi pjesë e GCC-së dhe dëshirojmë dialog, por ekonomia jonë dhe populli ynë janë prioritet. Kjo gjë do të vazhdojë”.

Terrorizmi, të dyja palët luajnë lojën e fajit në luftën anti-islamike
Ish Emiri (i Katarit), Sheik Hamad bin Khalifa Al Thani, përdori pasurinë e gazit për të zgjeruar ndikimin global të vendit. Pas blerjes së një sërë asetesh britanike, Doha u bë një gjuetar agresiv i marrëveshjeve. Por ishte politika e jashtme e pavarur e Katarit, e përforcuar përmes rrjetit mediatik Al Jazeera, që i irritonte fqinjët e Gjirit.

Sheiku Hamad mori një rol vendimtar në pranverën arabe. Arabia Saudite ishte e tronditur nga fuqia e protestës popullore që rrëzonte aleatët e saj në Tunizi, Egjipt dhe Jemen. Por, në vend që të bashkohej me Rijadin dhe Abu Dhabin kundër Vëllazërisë Myslimane pan-Arabe, Katari u përpoq të lidhej me këtë forcë në rritje. Mbështetja e Dohës për rebelët ekstremistë në Libi dhe Siri, ku kishte ndërhyrë edhe Arabia Saudite, shtoi dyshimin se Katari mbështet grupet disidente të Gjirit.

Raporti i Prillit të kaluar tregonte se Doha kishte paguar shpërblime deri në 1 miliardë dollarë për ekstremistët islamikë, militantët shiitë dhe zyrtarët e sigurisë iraniane për lirimin e disa monarkëve katarianë të rrëmbyer në Irak, çka nxiti edhe më tej zemërimin e Gjirit.

Katari kundërshton pretendimet se mbështet ekstremistët. Doha është një anëtar kryesor i koalicionit anti-Isis, që strehon bazën ushtarake rajonale të SHBA-së, theksojnë zyrtarët vendas. Dhe zyrtarët perëndimorë pajtohen se vendi ka ecur para në luftën kundër financimit të terrorizmit.

Katarianët argumentojnë se janë shtetet bojkotuese ato që po destabilizojnë rajonin, përmes konfliktit në Jemen, retorikës luftarake kundër Iranit dhe ndërhyrjes në politikën e brendshme libaneze. “Nuk jam e sigurt se si konfliktet rajonale po sheshohen, në fakt po shohim të kundërtën,” thotë Lulua Al Khater, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Katarit.

Burimi: Financial Times
Perktheu: BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: