MUSTAFA NANO

Në qendër të skenës politike italiane është Mario Draghi. Rreth tij sillen rreth të gjithë. U duhej një kryeministër, dhe të gjithë ranë dakord për emrin e tij. Tani që Sergio Mattarella po e lë postin e Presidentit u duhet një që ta zëvendësojë, dhe të gjithë do e jepnin votën për Draghin, por puna është se do duhet të gjejnë dikë në vend të tij. Të majtët janë dakord që Draghi të bëhet President, por nga e djathta thonë se, nëse Draghin e çojmë në Quirinale (pallati presidencial), atëherë vendi duhet çuar në zgjedhje. Dhe të mendosh që Draghi ka qenë thjesht një teknicien deri para një viti. Ai nuk i përket klasës politike. Nuk ka një teserë partie.

Një të tillë janë duke kërkuar për ta bërë kryetar shtetit. Një pa teserë partie. Në mos, një që, ndonëse ka qenë politikan profesionist, të ketë demonstruar se është figurë institucionale dhe të ketë ditur të punojë me të dy palët e politikës. Shkurt, kërkohet një figurë presidenciale. Po përmendet, fjala vjen, emri i Pier Ferdinando Casinit, që ka qenë kryetar i Dhomës së Deputetëve në legjislaturën 2001-2005. Edhe i Marco Frattinit, ish ministër i jashtëm i Italisë, e më vonë edhe komisioner europian (2004-2008). Këta dy të fundit kanë qenë figura të rëndësishme të qendrës së djathtë, por është e majta që i propozon tani, dhe është e djathta që nguron t’i pranojë. Të paktën hë për hë. Për raundin e parë të votitmit që ishte dje dhe për të dytin që ka filluar sot në orën 15.00 nuk janë marrë në konsideratë.

3

Italianët kanë pothuaj të njëjtën procedurë me tonën në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kanë disa raunde në dispozicion për të tentuar e gjetur konsensusin e 2/3 të votave presidenciale (deputetë, senatorë e përfaqësues të realiteteve lokale), dhe nëse kjo është del që është e pamundur, atëherë është një raund i fundit ku paraqiten dy kandidatë, dhe ku President zgjidhet ai që merr më shumë vota. Kështu, preferohet një President që të fitojë në raundet e para, provë se do të ishte konsensual, por për të mos mbetur pa President, pranohet me qejf në fund edhe një që zgjidhet me votat e një maxhorance të thjeshtë.

Franco Frattini Presidente Consiglio Di Stato

Palët po negociojnë ndërkohë. Hidhen emra, të cilët refuzohen, hidhen të tjerë, të cilët tërhiqen, vetëhidhen të tjerë akoma për të tatuar pulsin e votuesve presidencialë, e sërish tërhiqen (i tillë ishte Silvio Berlusconi), por përgjithësisht negociatat janë dominuar nga një frymë konstruktive e nga propozime që janë razionale.

Fjala vjen, sot në orën 17.00, pritet që qendra e djathtë të hedhë në tavolinë pesë emra, e që të pestë janë njerëz që nuk kanë pasur kurrë teserë partie e që kanë punuar në institucione apo që janë dalluar për një frymë bashkimi: Maria Elisabetta Alberti Casellati (kreu i senatit sot, përfaqësues i partisë Forza Italia), Marcello Pera (filozof, politikan, kreu i senatit në periudhën 2001-2006, përfaqësues i partisë Forza Italia), Carlo Nordio (me një karrierë të plotë si gjyqtar i republikës), Giulio Tremonti (profesor i ekonomisë, ministër financash disa herë në qeveritë “Berlusconi”, i cili nuk ia ka përtuar as këtij të fundit) e Letizia Moratti (sipërmarrëse dhe ish ministre; për ndjekësit e futbollit, është kunata e Massimo Morattit, ish presidentit të Interit).

Të majtët gjithashtu do të mblidhen për të hartuar edhe ata një listë me propozime. Do të fitojë ndonjëri prej këtyre? Si zor. Në fund fare fiton dikush që nuk ka qenë në asnjë listë. Se kush do të jetë ky, do ta marrim vesh shumë shpejt. Por ndërkohë, klasa politike shqiptare mund të mësojë prej mënyrës konstruktive, me të cilën negociohet, pasi edhe Shqipëria është në prag të zgjedhjes së Presidentit të saj. Italianët mund të mos jenë shumë efektivë në negociata të tilla, por ata kërkojnë gjithnjë më të mirin e më të përshtashmin për postin. Ndryshe, nuk do t’i luteshin Mario Draghit.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb